Ballina Sport Rikthehet “magjistari” Messi, gola, assist dhe rekorde për “Pleshtin” në MLS

Rikthehet “magjistari” Messi, gola, assist dhe rekorde për “Pleshtin” në MLS

35
0

Lionel Messi shënoi dy gola dhe dha një asist në fitoren 4-2 të Inter Miami ndaj Montrealit mbrëmjen e së mërkurën në kampionatin amerikan të futbollit. Ylli argjentinas realizoi në minutat 27 dhe 87, ndërsa asistoi për Luis Suarezin në minutën e 68, duke kompletuar një paraqitje spektakolare. Mënyra e realizimeve të dy golave ishin një rikthim pas në kohë, me Messin që bëri të gjithë të rikujtojnë magjitë e tij në kohën kur mbante veshur fanellën e Barcelonës.

Fitorja e fundit e Inter Miamit datonte më 3 maj, ndërsa një seri negative prej 2 barazimesh dhe 2 humbjesh e kishte zbritur skuadrën në vendin e gjashtë në Konferencën Lindore.

Kjo ishte befasuese për një skuadër që sezonin e kaluar kishte regjistruar 22 fitore, 4 barazime dhe 8 humbje, një rekord për ekipin nga Florida.

Me këtë paraqitje, Lionel Messi arriti golin e tij të 863-të në karrierë, ndërsa numëron edhe 382 asistime, duke bërë histori me Inter Miami.

Kjo sepse fituesi i tetëfishtë i Topit të Artë u bë lojtari i parë në histori me 50 kontribute në gola gjatë sezonit të rregullt. Ai ka shënuar 29 gola dhe ka dhënë 21 asistime në kampionat, diçka që asnjë lojtar tjetër i Inter Miami nuk e ka arritur më parë. Amerikanët janë dëshmitarë të një rinie të dytë që po përjeton “pleshti”, një prej lojtarëve më të mirë që historia e këtij sporti ka parë ndonjëherë.