Muzeu Etnografik dhe Muzeu Arkeologjik në Durrës së shpejti do të jenë gati të mirëpresin vizitorët.
Aktualisht të dyja këto site të trashëgimisë kulturore janë duke iu nënshtruar një procesi restaurimi e konservimi në kuadër të programit të BE-së për kulturën, ‘EU4Culture’.
Teksa punimet po afrojnë drejt përfundimit, UNOPS dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri zhvilluan një vizitë inspektuese për të parë nga afër progresin e ndërhyrjeve, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Pasi të rihapen, këto site të rëndësishme të qytetit të Durrësit do të ndihmojnë në pasqyrimin e trashëgimisë së pasur shqiptare dhe në nxitjen e turizmit lokal.
Prej tërmetit të vitit 2019, Muzeu Arkeologjik i Durrësit pësoi dëmtime të konsiderueshme dhe është në proces restaurimi prej 3 vitesh. Ky muze pritet të hapet për publikun në vjeshtën e këtij viti.
Ndërkohë, krahasuar me një vit më parë, vizitueshmëria e objekteve të trashëgimisë kulturore në Durrës, është rritur me 10 mijë vizitorë më shumë.