Ballina Bota “Tentuan të më vrisnin, por nuk ia dolën”/Presidenti kolumbian shpërthen në akuza...

“Tentuan të më vrisnin, por nuk ia dolën”/Presidenti kolumbian shpërthen në akuza të rënda ndaj shqiptarit, denoncon…

25
0

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, akuzon kreun e mafies shqiptare të drogës në Ekuador, Dritan Gjika, se ka tentuar ta vrasë.

Ai shkon edhe më tej, teksa e lidh këtë grup me vrasjen e prokurorit paraguaian Marcelo Pecci në vitin 2022, ngjarje që tronditi rajonin. Në një postim në platformën “X”, kreu i Kolumbisë shkruan se rrjeti mafioz, i udhëhequr nga Gjika, kontrollon një grup të madh kriminal, përfshirë prokurorë, zyrtarë të inteligjencës dhe portin strategjik të Buenaventura-s në Kolumbi.

“Kjo quhet bordi i narkotrafikut, me seli në Abu Dhabi. Ata kontrollojnë një rrjet prokurorësh dhe, përmes CTI-së, portin e Buenaventura-s. Janë autorët e vrasjes së prokurorit paraguaian Pecci dhe kanë arritur të fshehin autorët intelektualë të vrasjes brenda prokurorisë. Kanë tentuar të më vrasin, por pa sukses”, shkruan Petro.

Dritan Gjika, kreu i mafies shqiptare të trafikut të drogës në Ekuador, është arrestuar në 26 Maj në Abu Dhabi, për llogari të Ekuadorit.

47-vjeçari Dritan Gjika kishte mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë vizitori të përkohshëm, sipas të dhënave të tij të migracionit.

Ai u bë një nga personat më të kërkuar në vend, pasi udhëhiqte një organizatë kriminale që operonte si në Ekuador ashtu edhe në Spanjë, duke dërguar sasi të mëdha të substancave narkotike në vendet e Amerikës Qendrore dhe në Europë (në veçanti në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë).

Pak ditë më parë, edhe Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, akuzoi mafian shqiptare në Ekuador se kishte tentuar të kryente sulme terroriste në Venezuelë, ditën e zgjedhjeve, më 25 maj. Sipas tij, shqiptarët, që kontrollonin grupet mafioze në Ekuador, kishin dërguar mercenarë për akte terroriste me bomba në Venezuelë, por ishin kapur.