Ballina Europë Dyshime mbi kampet në Lezhë! Kasacioni në Itali pyet Gjykatën Europiane të...

Dyshime mbi kampet në Lezhë! Kasacioni në Itali pyet Gjykatën Europiane të Drejtësisë për ligjshmërinë

34
0

Gjykata e Kasacionit në Itali vë në dyshim projektin e qeverisë shqiptare me atë italiane për kampet e emigrantëve në Gjadër e Shëngjin. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kërkojnë që për qendrën e pritjes në Gjadër dhe për të gjitha strukturat e tjera të operacionit, bazuar në marrëveshjen mes dy qeverive, të vendosë Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Kasacioni i është drejtuar gjyqtarëve të Luksemburgut, duke iu kërkuar të verifikojnë përputhshmërinë e një sistemi azili jashtë kufijve të territorit të BE-së me ligjin e Unionit. Gjykata e Lartë italiane ngre dyshime nëse operacioni “Shqipëria”, përmes të cilit struktura në Gjadër konsiderohet e njëjtë si Qendrat italiane të qëndrimit për riatdhesim, është ose jo në përputhje me rregullat dhe garancitë e të drejtave themelore që ka përcaktuar Europa.

Për këtë arsye, Gjykata e Kasacionit ngrin gjithçka dhe i paraqet Gjykatës së Drejtësisë së BE-së dy pyetje thelbësore: A i respektojnë vërtet marrëveshjet mes Romës dhe Tiranës direktivat evropiane? Dhe a i mbrojnë të drejtat e kërkuesve të azilit? Pyetja e parë trajton pikërisht përputhshmërinë me ligjin e Unionit, ndërsa pyetja e dytë synon të verifikojë nëse respektohet parimi themelor i të drejtës për të qëndruar në territorin e shtetit. Por problemi qëndron se Shqipëria nuk është territor i shtetit italian.

Marrëveshja e firmosur mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni parashikonte strehimin në kampet shqiptare të emigrantëve që kapeshin nga autoritetet italiane në Detin Mesdhe, por u kundërshtua nga gjykatat italiane, të cilat e cilësuan të paligjshëm qëndrimin e këtyre azilantëve jashtë territorit italian. Për shkak të presioni të gjykatave në Itali, qeveria italiane e drejtuar nga Meloni bëri një përshtatje të marrëveshjes, duke vendosur të sjellë në Gjadër e Shëngjin vetëm emigrantët e parregullt, që nuk kanë të drejtë azili dhe që pritet të riatdhesohen në vendet e tyre.

Aktualisht, në kampin e Gjadrit ndodhen rreth 50 emigrantë, të cilët do të qëndrojnë për një kohë të shkurtër, derisa të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës.