Ditën e neserme, kryeqyteti do të ndizet nga grupi gjerman Keinemusic, një event ky i madh muzikor dhe artistik në vend, që do të mirëpresë 20 mijë spektatorë, pjesa më e madhe e tyre të huaj që vijnë nga 55 vende të botës drejt liqenit të Tiranës.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, theksoi se kjo do të jetë një nga dhuratë e bukur për Tiranën. Ajo u shpreh po ashtu se eventi do të tërheqë dashamirës të muzikës, qytetarë dhe turistë te shumtë që gjenden këto ditë Tiranë, duke u dhënë mundësinë të shijojnë atmosferën e magjishme të kryeqytetit.
“Jemi shumë të lumtur që në Tiranë, nesër kemi një ndër eventet më të mëdha të vitit. Në Tiranën e këtyre ditëve kemi parë se si kanë qenë qindra turistë nëpër qytet, duke shijuar qytetin, të gjithë hapësirat tona, për një arsye shumë të veçantë, për koncertin, të cilin miku, shoku ynë e ka organizuar me kujdesin e vet personal dhe për të cilin është diskutuar shumë këto kohë. Ky koncert është një dhurate e bukur për qytetin e Tiranës. Nëse ju do të merrni sot në telefon çfarëdo lloj hoteli në qytet është i zënë prej ditësh. Nuk ka më asnjë vend. Prezenca e të gjithë atyre që kanë ardhur pikërisht për artistët që do të dëgjojmë nesër, pikërisht për këtë lloj arti, këtë lloj muzike, këtë lloj dëfrimi është diçka që tërheq dhe nuk i shërben vetëm Tiranës dhe jetës sonë kulturore, por edhe asaj kombëtare dhe ndërkombëtare”, u shpreh Ristani.
Nga ana e tij, këngëtari i njohur Noizy, teksa falënderoi Bashkinë e Tiranës për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, u shpreh i bindur në organizimin e eventeve të tilla edhe në vitet e ardhshme.
“Do jetë një natë e paharrueshme për të gjithë njerëzit që vijnë, për Tiranën edhe për shtetin tonë, sepse çdo person që vjen këtu nuk do vijë vetëm për një ditë por do rrijë disa ditë. Uroj që gjithçka të shkojë mirë dhe pse jo, të kemi edhe vitet e ardhshme evente të tilla me përmasa kaq gjigande ku marrin pjesë jo më pak se 56 shtete të botës. Ju falenderoj Ju personalisht, Bashkinë e Tiranës dhe gjithë institucionet që janë vënë në dispozicion të na japin një ndihmë sado të vogël. Faleminderit të gjithëve!”, tha ai.