Kriminaliteti shqiptar në Itali përfaqësohet nga grupe kriminale të mirëstruktururara, të cilat kanë mundur të shtrijnë influencën e tyre në të gjithë territorin e shtetit fqinj, duke ngjasuar në disa raste dhe me mënyrën e veprimit të grupeve mafioze.
Këto përfundime rreth kriminalitetit shqiptar u prezantuan nga Drejtoria e Antimafias në parlamentin Italian gjatë ditës së martë.
Në raportin e përgatitur për vitin 2024, kriminaliteti shqiptar në Itali renditet përkrah atij nigerian, rumun, amerikano-jugor dhe kinez, por karakterizohet nga disa veçori në mënyrën e organizimit dhe përfshirjen në aktivitete të ndryshme të jashtëligjshme.
“Një tipar dallues i këtyre organizatave është përdorimi i dhunës, e cila përdoret si për të zgjidhur konfliktet e brendshme për kontrollin e tregut të drogës, ashtu edhe si mjet frikësimi dhe kontrolli”, – thuhet në raport, ndërkohë që si një tjetër veçori që ndikon në konsolidimin e strukturës së brendshme të grupeve kriminale shqiptare është marrëdhënia farefisnore, apo përfshirja në grup të personave me origjinë nga e njëjta krahinë.
Aktiviteti kryesor i paligjshëm i tyre mbetet trafikimi i lëndëve narkotike, të ardhurat e marra prej të cilit investohen në blerjen e bizneseve apo pasurive të paluajtshme, ndërkohë që sipas provave hetimore, rezulton se këto grupe në Itali janë të përfshira dhe në trafikimin e qënieve njerëzore, trafikimin e armëve, si dhe në shfrytëzimin për prostitucion.
“Në trafikun e drogës, këto grupe etnike bashkëpunojnë herë pas here me organizata të tjera kriminale të huaja dhe dallohen për besueshmërinë dhe rolin e tyre tashmë të konsoliduar në nivel ndërkombëtar”, – thuhet në raport, ku saktësohet se grupet kriminale shqiptare kanë mundur të kenë një marrëdhënie të qëndrueshme me grupet italiane pasi merren me ngarkimin e lëndëve narkotike, kurse për shpërndarjen dhe menaxhimin e tyre janë përgjegjëse grupet italiane.
Gjithashtu, grupet shqiptare kanë mundur të negociojnë drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën Latine duke mundësuar importin në Itali të sasive të mëdha të kokainës.
“Aftësia për të vepruar në shkallë globale dhe për të ofruar drogë me çmime konkurruese u ka mundësuar këtyre grupeve të krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme me organizatat kriminale italiane, përfshirë edhe ato me karakter mafioz”, – thuhet në raport.
Mirëfunksionimi dhe mirëorganizimi i grupeve kriminale të përbëra nga shtetas shqiptarë, jashtë edhe brenda kufijve të shtetëror, është njëra prej arsyeve përse si kusht për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian Shqipërisë i kërkohet të kontriubojë në luftën kundër tyre.
“Kushti është të demonstrohet që ka angazhim për reformat që shpien në ngushtimin e hapësirave për veprimtarinë e krimit organizuar, dhe të hetohen, dënohen grupet që aktualisht janë aktive”, – thotë gjatë intervistës për “shteg.org” Arjan Dyrmishi, ekspert për çështjet e sigurisë dhe Drejtor Ekzekutiv i “Qendrës për Studimin Demokracisë dhe Qeverisjes” (CSDG).
Sipas një raporti për vitin 2024 nga “Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes” shumica e grupeve kriminale operojnë kryesisht brenda territorit të vendit.
Grupet që veprojnë brenda Shqipërisë dallojnë nga ato me një shtrirje ndërkombëtare, duke nisur që nga madhësia e tyre e deri tek lloji i veprave penale.
“Këto grupe janë të përqendruara në aktivitete si trafikimi i drogës, armëve dhe dhuna e organizuar”, – thuhet në raport për grupet kriminale që operojnë brenda vendit.
Ndërkohë, grupet e shtrira përtej kufijve shtetëror kryesisht operojnë në trafikun e lëndëve narkorike në Itali, kurse në Spanjë dhe Bullgari janë të përfshirë në trafikimin e qënieve njerëzore dhe në falsifikimin e dokumentave. Këto grupe përbëhen kryesisht nga më shumë se 10 persona që kanë role të ndara, si: transportues, ndërmjetës, falsifikues dokumentesh dhe financues.
Gjatë vitit 2024, si rezultat i dekriptimit të bisedave të realizuara midis përsonave të njohur të botës së krimit me anë të pajisjeve të koduara (SKYECC), rezultoi se në Shqipëri funksionon një rrjet e mirëstrukturuar e grupeve kriminale.
“33 Përgjimet e zbuluara treguan se krimi i organizuar në Shqipëri operon me një strukturë të qartë hierarkike, ku individë të caktuar drejtojnë operacione komplekse, shpesh me shtrirje ndërkombëtare. Organizatat kriminale kanë krijuar lidhje të forta me elementë të sektorit publik, duke siguruar mbështetje të konsiderueshme”, – dokumentohet në raportin e CSDG-së, ku thuhet ndër të tjera se zbulimet e vitit 2024 tregojnë se krimi i organizuar në Shqipëri ka arritur një shkallë të lartë kompleksiteti dhe ndikimi, duke kërkuar masa të forta dhe të koordinuara për të reduktuar përhapjen e tij dhe për të forcuar integritetin e institucioneve shtetërore.
Megjithatë, krimi i organizuar nuk është i vetmi problem, pasi sipas të dhënave të Open Data Albania, Shqipëria ka një koeficent të lartë krimesh për 100 mijë banorë.
“Në harkun kohor të tetëmbëdhjetë viteve, 2004-2021, në Shqipëri llogaritet një koeficient mesatar vjetor rreth 146 krime për 100 000 banorë. Viti 2021 shënon vlerën më të lartë të këtij indikatori, përkatësisht 196 krime për 100 000 banorë”, – thuhet në publikimin e Open Data Albania.
Ndërkohë, në publikimin e fundit të Institutit të Statistikave, INSTAT, gjatë vitit të kaluar, 2024 në vendin tonë janë evidentuar 32 653 vepra penale, për të cilat janë të dyshuar si autorë 40 057 persona.