Emri: Mira. Mbiemri: Murati. Pozita: Sipërmarrëse në botën e Inteligjencës Artificiale. Statusi: Një ndër 50 gratë më të pushtetshme në botë.
Shqiptarja e Inteligjencës Artificiale “etike” nuk është më një rastësi në botën e teknologjisë globale, por një realitet i palëkundshëm dhe pozitat e saj sa vijnë e forcohen.
Kështu reflekton publikimi i fundit nga revista prestigjioze “Fortune”, e cila për të parën herë, e radhit Muratin ndër 50 gratë më të pushtetshme në botë.
Herën e fundit në renditje, Murati ishte e 57-a. Tashmë, ajo e sheh veten të përmirësuar me 10 pozita, në vendin e 47.
Ajo përshkruhet kështu nga revista prestigjioze:
“Mira Murati, ish-drejtoreshë e teknologjisë së OpenAI, e habiti Silicon Valley kur dha dorëheqjen nga kompania në shtator 2024: Ajo kishte qenë forca lëvizëse pas ChatGPT, modelit revolucionar të IA-së. Gjashtë muaj më vonë, Murati hodhi në treg Thinking Machines Lab, një startup të IA-së që po gjeneron bujë, edhe pse është ende në modalitet të fshehtë.
Por, ndërsa detajet rreth projektit mbeten të pakta, ndikimi i 36-vjeçares Murati në sektorin e IA-së është i qartë: Në mesin e majit, ajo thuhet se ishte afër fitimit të 2 miliardë dollarëve në atë që do të përfaqësonte raundin më të madh të investimit në historinë e teknologjisë, duke e vlerësuar Thinking Machines në 10 miliardë dollarë”.