Nga Eduard Zaloshnja
Votat e diasporës i shtuan vetëm 1 mandat socialistëve – të nëntin në Qarkun Vlorë (por pa filluar fare numërimi i votave nga Greqia). Të teta mandatet e tjera që ata shtuan në krahasim me 2021-shin, i shtuan me votat e këtushme. Vota të cila, në fakt, iu pakësuan…
Le ta zhbirilojmë këtë ‘paradoks’.
Brenda vendit, PS-ja mori më 11 maj plot 34 mijë vota më pak se më 2021, ose 95.5% të votave të atëhershme. Por nga ana tjetër, partitë përbërëse të Aleancës për Shqipërinë Madhështore (PD+LSI+etj.) pësuan një rënie shumë dramatike – ato morën pothuaj 250 mijë vota më pak se më 2021, ose vetëm 66% të votave të atëhershme.
Dhe kjo ‘gropë elektorale’ e PD+LSI+etj ishte e thellë në çdo qark. Sidoqoftë, thellësia ndryshonte nga qarku në qark (tabela e mëposhtme ilustron thellësinë e ‘gropës’ në secilin qark).
Në qarqe si Kukësi, Durrësi e Lezha, ku ‘gropa’ e PD+LSI+etj nuk ishte dhe aq e thellë, PS-ja nuk arriti dot të shtojë ndonjë mandat (në Tiranë u ndihmua nga fakti se, prej ndryshimeve demografike, qarkut i erdhi një mandat nga Qarku Korçë).
Kurse në qarqe si Fieri, Elbasani, Shkodra dhe Dibra, ‘gropat’ e PD+LSI+etj ishin aq të thella, sa i krijuan mundësinë PS-së të shtonte 7 mandate (me pothuaj të njëjtat vota të këtushme si më 2021). Edhe në qarqet Gjirokastër, Korçë e Berat ‘gropat’ e PD+LSI+etj ishin të thella, por ato thjesht ndihmuan për çimentimin e mandateve që PS-ja i kishte siguruar qysh më 2021 atje.