Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur se raporti përfundimtar i kësaj force politike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, do të jetë e gatshme midis datave 10-15 qershor.
Ky raport, për të cilin deri tani Berisha shprehet se do nxjerrë në pah “farsën elektorale” të zhvilluar nga partia në pushtet, do të drejtohet tek tëgjitha kancelaritë e vëndeve anëtare të OSBE-së, BE-së, si dhe Këshillit të Evropës.
Kryedemokrati sqaron me fjalë të tjera se deri më tani, Partia Demokratike është bazuar nga raporti paraprak i zgjedhjeve, lidhur me akuzat që ajo shtron ndaj maxhorancës.
“Raporti përfundimtar do bëjmë çdo gjë që të jetë gati nga data 10 qershor, por ndërkohë, ne si dokumente i nisim që të gjitha në misionin e ODIHR dhe misione të tjera vëzhguese. Ku do shkojë raporti përfundimtar? Raporti përfundimtar do shkojë në të gjitha kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-së, BE-së dhe Këshillit të Europës. Raporti përfundimtar do të shkojë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, konventat e të cilave janë dhunuar në këto zgjedhje. Raporti përfundimtar do të shkojë në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të OSBE, BE dhe KiE. Pra, këto janë destinacionet e raportit përfundimtar, por për të mbajtur nonstop të informuar, ne kemi operuar me raportin paraprak, tani kemi përgatitur raportin e ndërmjetëm dhe raportin përfundimtar do përpiqemi ta përgatisim midis datës 10 dhe 15 qershor me çdo kusht”, tha Berisha.