Një skandal i paprecedentë ka tronditur sistemin gjyqësor argjentinas, duke çuar në anulimin e gjyqit të shumëpritur mbi vdekjen e legjendës së futbollit, Diego Maradona.
Gjykata e Penale e San Isidros shpalli zyrtarisht anulimin e procesit, pas një skandali që përfshiu njërën nga gjyqtaret e çështjes.
Gjyqi, që kishte për qëllim të përcaktonte përgjegjësinë për vdekjen e Maradonës në nëntor 2020, ku shtatë anëtarë të stafit mjekësor që kujdeseshin për të pas një operacioni në tru ishin akuzuar për vrasje me dashje të mundshme, u pezullua fillimisht pas shfaqjes së papritur të gjyqtares Julieta Makintach në një dokumentar televiziv.
Pamjet e dyshuara se janë filmuar brenda sallës së gjyqit pa leje përbëjnë shkelje serioze të procedurës gjyqësore, dhe pas kësaj, policia sekuestruar provat.
Për shkak të këtij skandali, gjyqtarja Makintach dha dorëheqjen nga çështja, duke shkaktuar shpalljen e procesit si “i pavlefshëm”.
Pas largimit të saj, trupa gjykuese mbeti me vetëm dy anëtarë, Maximiliano Savarino dhe Verónica Di Tommaso. Gjyqtari Savarino njoftoi anulimin e gjyqit, duke deklaruar se “Gjithçka po shkonte mirë, përveç një personi që doli jashtë vijave..”
Vendimi shkaktoi emocione të forta në sallën e gjyqit, ku vajzat e Diego Maradonës, Dalma dhe Gianinna, shpërthyen në lot.
Diego Maradona, ikona e futbollit botëror, ndërroi jetë në nëntor 2020 në moshën 60-vjeçare nga një atak në zemër, ndërsa po rikuperohej në shtëpi pas një operacioni të ndërlikuar në tru.