PSG është fituesi i Champions League në edicionin 2024-25, me djemtë e Luis Enriques që “shkërmoqën” 5-0 Interin në finalen e “Allianz Arena”.
Data 31 maj 2025 do futet në historinë e klubit francez, pasi për herë të parë në historinë e tyre fitojnë trofeun më të rëndësishëm në Evropë.
Dueli ‘foli’ frëngjisht dhe Interi thuajse nuk ishte në lojë, duke mos pasur asnjë rast të rrezikshëm, ndërsa PSG mund ta kishte mbyllur ndeshjen edhe me gola të tjerë.
Leksione futbolli nga PSG, teksa Interi vetëm sa shëtiti në fushë fanellën e verdhë duke zhgënjyer tifozët që shohin sesi në tre vite klubi i tyre humbet në dy finale të Champions League.
Francezët e nisën ndeshjen “zjarr”, duke sulmuar që në fillim. Në minutën e 12-të, Doue shërbeu mjaft mirë për Hakimin, me këtë të fundit që shënoi me lehtësi.
Nuk vonoi shumë edhe goli i dytë, me një të djathtë të bukur të Doue.
Zikaltërit u përpoqën që të reagonin dhe në fundin e fraksionit rrezikuan me Thuram por vetëm kaq.
Ekipi i Inzaghit shtoi presionin në pjesën e dytë por pa rezultat. Doue, pak më vonë, vendosi ndeshjen në favor të PSG. Nuk mbaroi spektakli me kaq, pasi kishte kohë edhe për Kvaran e Mayulu.
PSG feston kështu me goleadë këtë sukses kaq të rëndësishëm në historinë e klubit.
Zhgënjim total te Interi, në një mbrëmje për t’u harruar. Ekipit italian nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mendojë për sezonin tjetër.