Ballina Ekonomia Çmimet e pronave do të rriten, agjentët e tregut thonë se shitjet...

Çmimet e pronave do të rriten, agjentët e tregut thonë se shitjet janë më të mëdha në zonat periferike

62
0

Të pyetur në nëntor nga Banka e Shqipërisë, agjentët imobiliarë janë shprehur se presin rritje të çmimeve të pasurive të patundshme në vend, përgjatë dy viteve të ardhshme.

Sipas vrojtimit të Bankës Qendrore, çmimet e pronave në vend në vitin 2024 u rritën me 44.5%, ndërsa numri më i lartë i shitjeve të realizuara në periudhën korrik-dhjetor, ishte për prona në zonat më të preferuara të qytetit.

Ndërkohë, në Tiranë, aty ku shtrenjtimi ishte më i fortë, me 56% në terma vjetorë: agjentët veçojnë si fenomen numrin e lartë të shitjeve në zonat periferike të kryeqytetit, çka ka sjellë edhe shtrenjtim të çmimeve përtej qendrës.

Nga të dhënat e grumbulluara, vihet re 72% e agjentëve në gjashtëmujorin e dytë të vitit kanë realizuar shitje pronash me çmim deri në 20% më të ulët se çmimi fillestar, pra prona është shitur më lirë.

Sipas agjentëve, rreth gjysma e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare, që në pjesën dërrmuese të rasteve, ka mbuluar deri në 60% të vlerës.