Nga Afrim Ramadani
Një pasdite e qetë pranvere. Unë dhe vajza të ulur në verandën e shtëpisë. Një heshtje e gjatë! E shoh të bijën të menduar dhe vendos të flasë.
Unë:
Bijë, kam vënë re që shpesh je e heshtur këto ditë! E ndjej që je e shqetësuar. A ka diçka që dëshiron të më thuash? Të lutem mos nguro.
Vajza:
Tund kokën pak!
Nuk ka asgjë të re, babi. Vetëm… po mendoj shumë gjëra. S’di si të them, nuk di nga t’ia filloj… gjendem përpara një labirinti!
Unë:
Kisha një parandjenjë! Po mendon të ikësh, apo jo? E ndiej që ky mendim të rëndon. Por dua të të them diçka si prind – jeta nuk është vetëm atje jashtë. Edhe këtu do të bëhet mirë. Nuk është gjithmonë e lehtë, por jemi bashkë. Këtu është familja, janë miqtë, janë rrënjët tona… këto kanë vlerë.
Vajza:
Unë vlerësoj gjithçka që kemi këtu, babi. E dua vendin tim, juve, këtë shtëpi. Por kur çdo mundësi mbyllet, çfarë të mbetet? Jemi të papunë prej vitesh, me përgatitje, me diploma në dorë, … dhe gjithmonë të refuzuar. Nuk jetohet me ndjenja. Çfarë më vlejnë rrënjët kur toka është tharrë?! Bredhje derë më derë, që vazhdimisht janë të mbyllura, buzëqeshje të rreme, përçmim i heshtur. Nuk është më çështje përpjekjeje – është sistem! Pa librezë partiake, këtu nuk je njeri!
Unë:
Morra frymë thellë!
Po, nuk po e mohoj. I shoh edhe vetë padrejtësitë! Por çdo vend i ka vështirësitë e veta. Jashtë s’të pret askush me lule. Atje je e huaj, je e panjohur. Këtu merr pjesë në gjithçka, jemi pranë njëri-tjetrit, të paktën, je dikush…je vetja!.
Vajza:
Por çfarë vlere është të jesh “dikush” kur nuk mund të jetosh me dinjitet? E di që atje do jetë e vështirë, por të paktën vlerësohesh për aftësinë. Këtu, për gjithçka duhet mbështetje partiake. E vërteta është, se ky sistem nuk të lë të marrësh frymë.
Unë:
E di, e di bija ime…e ndjej dhe unë dhembjen tënde. Kam frikë që një ditë do të pendohesh. Do ndihesh vetëm, larg nesh, larg vendit tënd… larg poezisë së Çajupit!
Vajza:
Nuk është një vendim i lehtë, por më duhet ta marr! Nuk jetohet vetëm me emocione dhe afërsi. Dua të provoj, sepse këtu nuk shoh të ardhme. Ju do më mungoni, por më mungon edhe një jetë me kuptim. Dhe këtë nuk po e gjej këtu. Nuk dua të zgjohem një ditë e të ndjej keqardhje, që nuk morra një hap të duhur, atëherë kur duhej të merrja.
Unë:
E ul kokën
Në rregull. Nuk dua të të ndaloj, nuk dua të jem pengesë e planeve tua. Je rritur, je e vetëdijshme, di ç’bën. Vetëm mbaj mend, që jashtë je në dhe të huaj…je vetëm një numër. Këtu je faktor, je emër, dhe mos haro, se shtëpia është dhe do të mbetet gjithmonë këtu… vetëm për ty!
Derisa po përfundoja bisedën, ndjeva se po frynte një erë e lehtë, sikur edhe ajo e ndjeu dhimbjen e kësaj ndarjeje!