Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 36-vjeçari Arbi Goreja.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë vijuar veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 30.05.2025, në aksin rrugor “Katër Rrugët e Fllakës–Katund Sukth”, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Kid Kazazi, 30 vjeç, banues në Kavajë dhe vijon puna për kapjen e tij.
Nga hetimet paraprake rezulton se rreth orës 19:30, të datës 30.05.2025, në vendin e quajtur “Fllakë e Egër”, shtetasi K. K., duke lëvizur me automjetin tip “Ford Focus”, ka qëlluar me armë zjarri të dyshuar pistoletë, gjatë një parakalimi, drejt automjetit tip “Lancia”, në të cilin ndodhej shtetasi Arbi Goreja, 36 vjeç, banues në Durrës.
Si pasojë, shtetasi Arbi Goreja mbeti i plagosur, ndërsa dy të miturit 14 e 15 vjeç që udhëtonin me të nuk kanë pësuar lëndime.