Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi të premten shkarkimin e drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Portreteve, Kim Sajet. Kjo është ndërhyrja e parë e drejtpërdrejtë e presidentit në Institutin Smithsonian pas lëshimit të urdhrit të tij ekzekutiv të kohëve të fundit për të eliminuar “narrativat përçarëse” nga muzetë dhe institucionet kërkimore federale.
“Me kërkesën dhe rekomandimin e shumë njerëzve, po e shkarkoj Kim Sajet nga pozicioni i saj si Drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Portreteve”, shkroi Trump në platformën Truth Social. “Ajo është jashtëzakonisht e anshme dhe mbështetëse e DEI-t, diçka krejtësisht e papërshtatshme për pozicionin e saj. Zëvendësuesi i saj do të shpallet së shpejti.”
Galeria Kombëtare e Portreteve, e themeluar në vitin 1962 me një akt të Kongresit, strehon portrete të amerikanëve të shquar, përfshirë të gjithë presidentët e SHBA-së. Koleksioni i saj përfshin mbi 26,000 vepra arti. Smithsonian, megjithëse vepron si një institucion i pavarur, merr afërsisht 62% të financimit të tij nga qeveria federale.
Kim Sajet u emërua në vitin 2013 si drejtoresha e parë femër e Galerisë Kombëtare të Portreteve. E lindur në Nigeri dhe shtetase holandeze, ajo ka punuar në SHBA për më shumë se 30 vjet. Gjatë mandatit të saj, ajo promovoi zgjerimin e koleksionit me theks në diversitetin e artistëve dhe temave, dhe forcoi praninë e gjuhës spanjolle në komunikimet e muzeut.
Në vitin 2017, ajo ishte drejtoresha e parë e Smithsonian që emëroi një koreograf në mënyrë të përhershme për të krijuar shfaqje vallëzimi bazuar në ekspozitat e muzeut. Ajo gjithashtu lançoi serinë e podkasteve “PORTRAITS”, tani në sezonin e saj të gjashtë, duke synuar të arrijë audiencën përmes dialogëve rreth artit, historisë dhe identitetit