Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar fuqishëm ndaj zgjedhjeve të 11 Majit, duke i cilësuar ato si një farsë elektorale të kriminalizuar që nuk përmbush asnjë standard ndërkombëtar. Ai përkrahu vendimin e organizatës politike ndërkombëtare IDC-CDI, e cila dënoi manipulimin e procesit zgjedhor dhe shkeljet e rënda që u regjistruan gjatë zgjedhjeve.
Meta theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe kërkoi formimin e një qeverie teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke i kushtuar një rol kyç rikthimit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Përshëndes dhe mbështes plotësisht Rezolutën shumë të rëndësishme të organizatës politike më të madhe në botë, IDC-CDI, ku 108 parti rrëzuan farsën elektorale të 11 Majit!
Këto zgjedhje të kriminalizuara nuk përmbushën asnjë standard ndërkombëtar dhe shkelën dhunshëm kriteret e Kopenhagenit dhe unë e përkrah me vendosmëri vendimin e IDC-CDI për të dënuar manipulimin e procesit zgjedhor përmes kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve; përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës; pandëshkueshmërinë institucionale ndaj krimeve zgjedhore.
Vlerësoj lart mesazhet shumë të qarta të IDC-CDI për domosdoshmërinë e zbatimit me urgjencë të rekomandimeve prioritare të OSBE/ODIHR, për ndërprerjen e përndjekjes politike dhe rikthimin e të drejtave të plota për liderët e opozitës, si dhe për krijimin e një qeveri teknike, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja.
Pa garantuar votën e lirë, themelin e demokracisë dhe shtetit ligjor, nuk mund të ketë kurrë integrim të Shqipërisë në familjen europiane!”