Ballina Kronika Aksident i rëndë në rrugën Vlorë-Fier, një i vdekur dhe një i...

Aksident i rëndë në rrugën Vlorë-Fier, një i vdekur dhe një i plagosur rëndë

25
0

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e sotme, rreth orës 13:35, në aksin nacional Vlorë–Fier, pranë një karburanti ne vendin e quajtur Pusi i Mezinit.

Sipas informacioneve paraprake, një motomjet tip Piaggio me targa AK653 ka humbur kontrollin për shkaqe ende të paqarta dhe ka dalë nga rruga. Mjeti është përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike dhe më pas me një shtyllë tjetër druri, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe pasoja të rënda për personat në motomjet.

Si pasojë e përplasjes, dy persona, rreth moshës 19-25 vjeç, që ndodheshin në mjet kanë mbetur të plagosur rëndë. Të lënduarit, identiteti i të cilëve nuk është bërë ende i ditur, janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Fatkeqësisht, njëri prej të plagosurve nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa personi tjetër ndodhet në gjendje të rëndë, nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë rrugore dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit.

Policia po punon gjithashtu për identifikimin e viktimës dhe të të plagosurit.

Vlorë/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 13:40, në rrugën “Demokracia”, pranë vendit të quajtur “Pusi i Mezinit”, dy shtetas, duke udhëtuar me një motomjet, dyshohet se kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë elektrike.

Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë shtetasi L. Ll., 19 vjeç, ndërkohë që shtetasi T. M. është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit, si dhe për përcaktimin e shtetasit që ishte në drejtim të motomjetit.