Ballina Kulturë “Arti i Barabartë”, një përvojë unike artistike për fëmijët në Korçë

“Arti i Barabartë”, një përvojë unike artistike për fëmijët në Korçë

19
0

Në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë është hapur ekspozita imersive “Arti i Barabartë”, një shfaqje multimediale, e cila sjell një përvojë unike për fëmijët dhe jo vetëm. E frymëzuar nga libri me të njëjtin titull, i zhvilluar në bashkëpunim me Bashkimin Europian, ekspozita promovon mesazhe të forta për gjithëpërfshirjen, tolerancën dhe barazinë.

Shkrimtarja britanike Alice Taylor, e cila bëri përshtatjen e librit në gjuhën angleze, shprehu emocionet e saj për këtë projekt të veçantë artistik. Taylor shton se mesazhi që përcillet është tejet i rëndësishëm për fëmijët, duke theksuar se të gjithë janë të barabartë, pavarësisht origjinës, gjuhës apo pamjes së jashtme.

Kjo është hera e parë që diçka, të cilën unë kam shkruar apo kam qenë e përfshirë, po kthehet në një formë tjetër arti sepse nuk ka të bëjë vetëm me shkrimin e një faqeje të re. Tashmë është një eksperiencë artistike, një ekspozitë dhe diçka komplet e re, imersive. Unë nuk kam qenë asnjëherë në një ekspozitë të tillë më parë. Jam shumë e entuziazmuar për këtë, po ashtu edhe për fëmijët që po vijnë. Jam pak nervoze gjithashtu, por është një eksperiencë fantastike për mua. Unë punoj në televizion, ushtroj fotografinë, shkruaj libra, por ky është një dimension ndryshe. Jam krenare që jam pjesë e tij. Nuk është diçka që ndodh vetëm në Tiranë, por fëmijë të çdo qyteti të Shqipërisë mund ta përjetojnë këtë eksperiencë. Më i rëndësishëm është mesazhi, që të gjithë janë të barabartë, pavarësisht sa i gjatë je apo çfarë ngjyrë i ke flokët, prej nga je apo çfarë gjuhe flet. Kjo është diçka shumë e rëndësishme që një fëmijë duhet të kuptojë. Bullizimi është një problem në çdo vend të botës, pra mesazhi vlen shumë“, u shpreh Taylor.

Autori i librit, Gentian Minga, theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite si një mënyrë alternative për të bërë librin të aksesueshëm për më shumë fëmijë. Për Mingën, kjo ekspozitë është një mënyrë më tërheqëse për të komunikuar me fëmijët përmes grafikës, tingullit dhe elementëve imersivë.

Kjo shfaqje multimediale në qytetin e Korçës është bazuar në një libër që e kemi zhvilluar dikur me BE, ‘Arti i barabartë’ i cili nuk është për shitje dhe për këtë arsye, ekspozita të tilla janë shumë të mira sepse ne kur prodhuam librin e ndamë tek sa më shumë fëmijë që mundëm, por duke qenë se nuk është i aksesueshëm për këdo, kjo shfaqje do të jetë. Përveç se do të jetë për një kohë të gjatë e aksesueshme, është një shfaqje me elementë grafikë, sound, imersive, është shumë e veçantë dhe i tërheq akoma më shumë fëmijët. Mesazhi që ne duam të japim për përfshirjen, gjithëpërfshirjen, diversitetin shkon edhe më lehtë te fëmijët që janë të vegjël. Janë edhe konceptet e tolerancës që ne duam t’i shpërndajmë si mesazhe dhe për më tepër, është gjë e mirë që vjen në një qytet si Korça dhe më vjen shumë mirë që fëmijët e një qyteti tjetër që nuk është Tirana, kanë mundësinë dhe aksesin në një gjë kaq moderne dhe bashkëkohore siç është një shfaqje imersive“, u shpreh Minga.

Drejtori i GAD, Arbri Malile, vuri në dukje se “Arti i Barabartë” është ekspozita e parë në këtë galeri që vjen e frymëzuar nga një libër për fëmijë.

Ai theksoi se ekspozita synon të ndikojë jo vetëm te të vegjlit, por edhe te prindërit, duke përcjellë një mesazh të qartë mbi vlerën e diversitetit dhe rëndësinë e rritjes së brezave të rinj në një shoqëri të hapur dhe të barabartë.

“‘Arti i Barabartë’ është një ekspozitë shumë e veçantë në llojin e vet. Përveç faktit që i paraprin festës së 1 Qershorit dhe fëmijëve anembanë territorit shqiptar, por jo vetëm, edhe turistëve që vijnë e na vizitojën rishtazi në Galerinë e Arteve Digjitale, është një ekspozitë e veçantë për arsyen se është ekspozita e parë që vjen në këtë galeri e përshtatur dhe frymëzuar nga një libër për fëmijë. Jemi mësuar tashmë që kategoria më e madhe që ka kaluar vizitorët adultë janë fëmijët. Pikërisht kjo na vë përpara një pozite ose detyrimi që të risjellim shpesh vepra arti, eksperienca, sidomos si e sotmja, që ka një mesazh të drejtpërdrejtë, shumë të fortë, jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit, se si duhet të rriten në një botë ku të gjithë janë ndryshe, diversiteti është një vlerë e çmuar dhe të gjithë duhet të jemi më të paqtë me njëri-tjetrin”, tha Malile.

Ekspozita “Arti i Barabartë” në Korçë nuk është thjesht një aktivitet kulturor për fëmijët, por një thirrje e fuqishme për një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Me një ndërthurje unike të artit, teknologjisë dhe edukimit, ajo i fton të vegjlit të reflektojnë mbi vlerat më thelbësore të jetës, barazinë, pranimin dhe dashurinë për ndryshimin.

Një përvojë që lë gjurmë, jo vetëm në kujtesën e fëmijëve, por edhe në mënyrën se si ata do ta shohin botën që i rrethon./ CNA