Ballina Kulturë Fëmijëria dikur dhe tani – Çfarë është ndryshe?

Fëmijëria dikur dhe tani – Çfarë është ndryshe?

0
38

Nga Mimoza Cika

Biologjikisht, fëmijëria është ende e njëjtë me atë që ishte mijëra vjet më parë.
Por rrethanat në të cilat rriten fëmijët kanë ndryshuar rrënjësisht.
Për disa, është koha më e bukur e jetës së tyre. Për të tjerët, tmerrsisht e vështirë.Gjatë gjithë historisë njerëzore, fëmijët nuk kanë pasur gjithmonë një jetë të mirë. Në Greqinë e lashtë, fëmijëria shpërfillej si një kohë e papërsosmërisë njerëzore. Në kohët moderne, fëmijët shpesh duhej të shkonin në luftë, ndonjëherë edhe si ushtarë në vijën e frontit. Dikur, shumë prej tyre vdisnin para pubertetit nga sëmundje të tilla si lija, difteria ose Murtaja e Zezë.Vetëm përparimet e mëdha në mjekësi, njohuritë e përmirësuara për higjienën dhe pediatria u dhanë shumicës së fëmijëve një jetë të shëndetshme dhe të gjatë.

Por koncepti i një edukimi të suksesshëm u formësua fillimisht nga një ide revolucionare. Me Iluminizmin – veçanërisht përmes romanit “Emili ose mbi edukatën” nga Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau) – imazhi i një fëmijërie të lumtur ndryshoi rrënjësisht. Ruso kërkoi që fëmijëve t’u lejohej të zhvilloheshin lirisht dhe të ndiqnin prirjet e tyre pa kufizime. Të rriturit duhet vetëm t’i mbështesin ata. Vepra e Ruso-së e vuri në pikëpyetje thelbësisht konceptin e edukimit autoritar për herë të parë duke shkaktuar një reagim të ashpër në botë.

Megjithatë, fëmijët nga familjet më të varfra vazhduan të punonin ende shumë. Vetëm në fillim të shekullit të 20-të hyri në fuqi një ligj për mbrojtjen e fëmijëve, i cili ndalonte punën në ndërmarrjet industriale për djemtë dhe vajzat nën moshën dymbëdhjetë vjeç. Për fat të keq, në shumë pjesë të botës, puna e fëmijëve është ende e zakonshme sot – veçanërisht në Azi dhe Afrikë. Ata janë të privuar nga fëmijëria e tyre dhe e drejta për t’u zhvilluar lirisht.
Madje sot, në mbarë botën, fëmijët kanë më shumë  gjasa të jetojnë në varfëri ekstreme sesa të rriturit. Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore, rreth 340 milionë fëmijë duhej të mbijetonin me më pak se 2 dollarë në ditë. Fëmijët në Evropë gjithashtu vuajnë nga varfëria. Në Bashkimin Evropian, pothuajse një e katërta e të gjithë fëmijëve jetojnë kohët e fundit në kushte ekstreme varfërie.

Natyrisht që jeta e fëmijëve sot është e ndryshme nga fëmijëria e atyre që tani janë gjyshër apo stërgjyshër. Krahasuar me të kaluarën, të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve tani mbrohen dhe madje rregullohen ndërkombëtarisht nga Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve. Në këtë marrëveshje, shtetet angazhohen të bëjnë gjithçka që është e mundur për mirëqenien e fëmijëve.
Gjuha, stili i jetesës, zgjedhjet e veshjeve, preferencat muzikore, aftësitë dixhitale dhe aktivitetet e kohës së lirë janë vetëm disa nga aspektet në të cilat brezat mund të ndryshojnë nga njëri-tjetri.

Por edhe frikë për të ardhmen, kriza, stres me miqtë dhe familjen, ose probleme në shkollë. Të jesh fëmijë apo i ri nuk do të thotë automatikisht të jesh i pakujdesshëm. Përkundrazi: Fëmijët dhe të rinjtë sot duhet të përballen me stres të jashtëzakonshëm.
E megjithatë, ka gjëra që i mësuam si fëmijë, të cilat fëmijët tanë apo nipat e mbesat tanë sot nuk i mësojnë më. Edhe pse jo gjithçka ishte më mirë atëherë, ka ende disa gjëra që është për të ardhur keq që kanë mbetur në harresë. Sigurisht, ata po rriten ndryshe. Më të lirë, më individualë, më të vëmendshëm. Dhe kjo është një gjë e mirë. Por nëse jemi të sinqertë, ndonjëherë na mungojnë ato gjëra të vogla që i merrnim si të mirëqena. Sepse ka disa gjëra që mezi i praktikon kush me fëmijët këto ditë. Dhe kjo është për të ardhur keq, apo jo?