Një shtetas italian 56-vjeçar, i shpallur në kërkim për përfshirje në skema mashtruese me rimbursimin e TVSH-së, është lokalizuar dhe ndaluar nga Policia e Tiranës.
Më 1 qershor, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare finalizoi operacionin për ndalimin e të dyshuarit me inicialet M. C., ndaj të cilit Gjykata e Tiranës kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.
“Shërbimet ndaluan shtetasin e huaj italian, M. C., 56 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’, për veprën penale ‘krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar’”, njoftoi Policia e Tiranës.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme rreth dosjes hetimore, por kanë bërë të ditur se materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.