Një zjarr masiv ka përfshirë mesditën e sotme masivin pyjor të Darrëzezës, vetëm një ditë pasi bashkia Fier çeli zyrtarisht sezonin turistik në këtë zonë bregdetare. Ndërsa dje zyrtarët festonin me fjalime dhe premtime për zhvillim turistik, sot realiteti është ndryshe – flakët kanë përpirë një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha mbi 70-vjeçare.
Zjarri, i favorizuar nga era e fortë, është përhapur me shpejtësi duke rrezikuar jo vetëm masivin pyjor por edhe bizneset turistike që operojnë në zonë. Në vendngjarje ndodhen 8 mjete zjarrfikëse nga Fieri, Patosi, Roskoveci dhe Lushnja, të cilat janë angazhuar për të izoluar flakët. Prioritet i ndërhyrjes ka qenë mbrojtja e subjekteve ekonomike dhe zonave të banuara.
Burime nga terreni bëjnë me dije se brenda pyllit janë djegur disa kasolle që banorët i përdornin për pushime modeste në natyrë – një lloj rikthimi nostalgjik te koha e para viteve ’80. Banorë të zonës, punonjës të pyjores, madje dhe pushues të rastësishëm janë përfshirë në përpjekjet për shuarjen e flakëve, duke hapur rrugë për zjarrfikëset me mjete rrethanore si lopata, kosore e motosharra.
Ironia është e rëndë dhe e zymtë: vetëm një vit më parë, në krahun tjetër të të njëjtit pyll, u dogjën afro 700 hektarë me pisha. Sot ka nisur të digjet edhe krahu tjetër. A është kjo thjesht një koincidencë tragjike natyrore, apo një përgatitje e heshtur për të liruar hapësira në emër të “zhvillimit” dhe investitorëve strategjikë?
Banorët ngrenë dyshime, aktivistët ekologjikë janë të shqetësuar, ndërsa autoritetet heshtin. Në vend të menaxhimit të qëndrueshëm të pasurive natyrore dhe mbrojtjes së pyjeve, ajo që duket është një skemë e përsëritur ku natyra digjet, dhe më pas ndërtohet.
Tani presim se kush do të jetë oligarku i radhës që do përfitojë duke marrë qindra hektarë tokë që do krijohet nga djegia e pishave, pasi kjo tashmë është skemë e njohur që përdor narkoqeveria për të shpërblyer klientelën e saj./syri