Pas triumfit spektakolar të PSG-së në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Interit me rezultatin 5-0, Gianluigi Donnarumma ishte një nga lojtarët që shijoi më shumë qetësinë e suksesit.
Portieri italian, që përjetoi një derbi personal përballë rivalëve të dikurshëm të Milanit, pati një mbrëmje të qetë, pa u rrezikuar nga sulmet e Interit.
“Ishte një ndeshje më e lehtë nga sa e kishim parashikuar. Duhej të bëja vetëm dy pritje dhe një dalje. Nuk na dukej sikur po luanim një finale të Ligës së Kampionëve”, deklaroi Donnarumma, duke vënë në dukje dominimin e plotë të skuadrës së tij.
Portieri i PSG-së nuk e kishte pasur të lehtë rrugëtimin deri në finale. Ai ishte vendimtar në disa momente kyçe gjatë rrugës për në finale ku priti dy penallti ndaj Liverpoolit në 1/16-at, ndali një goditje të rrezikshme nga Tielemans në çerekfinale dhe bëri dy ndërhyrje vendimtare kundër Arsenalit në gjysmëfinale.
“U përgatitëm për këtë finale në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo u pa në fushë”.
“Kemi pasur një sezon të jashtëzakonshëm dhe një pjesë e madhe e meritave i takojnë Luis Enriques,” shtoi ai.
“I gjithë sezoni është në lotët e mi. Kishte momente të vështira, si kur po humbnim 2-0 ndaj Cityt, por ia dolëm ta përmbysnim dhe e përmbyllëm me lavdi”.
Megjithatë, pas finales, portieri italian la të hapur të ardhmen e tij te PSG-ja, duke ngritur pikëpyetje.
“Nëse do të qëndroj? Nuk e di, do ta shohim,” u shpreh ai, duke lënë vend për interpretime, ndonëse kontrata e tij është deri në verën e vitit 2026.