Gjykata e Tiranës vendosi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për 8 persona të arrestuar dy ditë më parë, pas dyshimeve për përfshirje në një linjë të trafikut të armëve.
Me kërkesë të prokurorisë gjykata miratoi izolimin në paraburgim të të dyshuarve Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu.
Asnjë nga të dyshuarit nuk ka dhënë shpjegime në gjyq. Ndërsa mbrojta ka ngritur pretendime se është vepruar në kundërshtim me ligjin përsa i përket blerjeve të stimuluara, pasi sipas tyre policia po i shtyn njerëzit në veprime të kundërligjshme.
Gjithashtu mbrojtësit kanë kërkuar edhe akt-ekspertizat e armëve nëse janë ose jo funksionale. Mbrojta i ka kërkuar gjykatës që ta cilësoj të paligjshëm arrestimin.
Ndërkohë organi i akuzës ka vënë në dispozicion të gjykatës akt-ekspertimet e kryera për armët që janë kapur më herët kur është bërë ndalimi i Altin Pajazitit dhe Kadri Prushit, ku njëra nga armët rezulton jashtë funksionit.
Gjatë operacionit të zhvilluar nga ana e strukturave të rendit u sekuestruan 14 armë zjarri 12 pistoleta ku njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë, 2077 fara kanabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.