Ballina Europë Përgjaket Parisi, 2 të vdekur mes festimeve të PSG-së për fitoren në...

Përgjaket Parisi, 2 të vdekur mes festimeve të PSG-së për fitoren në Ligën e Kampioneve dhe 500 të ndaluar

33
0

Festimet për triumfin historik të Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Inter Milan (5-0) u kthyen në episode dhune dhe tragjedi në disa qytete të Francës, duke shkaktuar dy viktima dhe qindra të plagosur, sipas autoriteteve franceze.

Sipas një zëdhënëseje të policisë, një i ri u godit për vdekje me thikë në qytetin Dax, në jug të vendit, teksa një turmë po festonte fitoren e PSG-së. Rrethanat e incidentit mbeten ende të paqarta dhe hetimet janë në vijim.

Ministria e Brendshme franceze konfirmoi gjithashtu një viktimë të dytë: një grua që po udhëtonte me skuter në Paris u përplas për vdekje nga një automjet gjatë kaosit të krijuar nga tifozët.

Përtej dy viktimave, Ministria raportoi një bilanc të lartë dhune në të gjithë vendin:

192 persona janë plagosur, përfshirë 22 efektivë policie dhe 7 zjarrfikës.

Të paktën 559 persona janë arrestuar, kryesisht në Paris, ku pati përplasje mes tifozëve dhe forcave të rendit.

Në qytetin Grenoble, një makinë u përplas me një grup njerëzish, duke plagosur katër anëtarë të një familjeje, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Policia e trajton këtë si një aksident.

Fitorja e PSG-së në Mynih, e cila shënoi suksesin e parë të klubit në këtë kompeticion prestigjioz, u shoqërua me një atmosferë të elektrizuar në të gjithë Francën. Por, për fat të keq, festimet në shumë zona degraduan në përleshje, vandalizëm dhe ngjarje tragjike.

Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë dhe kanë bërë thirrje për qetësi dhe për të shmangur përsëritjen e incidenteve të ngjashme.