Ballina Ekonomia Pikëpyetjet e kontrollit të pasurisë për pronarët e mjeteve të luksit

Pikëpyetjet e kontrollit të pasurisë për pronarët e mjeteve të luksit

17
0

Edval Zoto, ekspert për krimin ekonomik, e sheh me skepticizëm njoftimin e tatimeve për hetimin e pasurisë për pronarët e mjeteve të luksit.

Sipas tij çdo aksion që ka në fokus reduktimin e evazionit është i mirëpritur, por çdo hetim duhet të përshtatet me realitetin ku jetojmë.

I ftuar në emisionin “E-ZONE”, eksperti Zoto tha se mbetet pak e vështirë verifikimi i mjeteve të luksit.

“Subjekt i këtij kontrolli do të jenë ata individë që kanë një makinë luksi, por që nuk kanë dorëzuar deklaratën vjetore të të ardhurave. Por  jo çdo individ që ka disa kursime ndër vite është subjekt i plotësimit të kësaj deklarate. Shumë makina që plotësojnë një nga kriteret për tu quajtur luksi, që është 3000 cm3 përdoren në zonat rurale. Çfarë do të bëjnë tatimet në këtë rast do të hetojnë individin? Po një subjekt biznesi që merret me mjete me qira dhe ka makina luksi me vlera më të mëdha se 50 mijë euro ka potencialin më të madh për evazion shmange të detyrimeve. Pra duhet të ketë një analizë risku”, tha Zoto.

Sipas Zotos tatimet janë në të drejtën e tyre për të bërë çdo verifikim. Drejtoria e kontrollit të specializuar që do të merret me hetimin e pasurisë së individëve aktualisht ka vetëm 10 punonjës, çka vlerësohet me pikëpyetje efektiviteti i saj.

“Struktura e kontrollit të specializuar është një drejtori relativisht e re. Çdo strukturë që ka një qëllim konkret dhe më të avancuar duhet të ketë afat të përkohshëm dhe jo të përhershëm. Duke qenë se puna e saj ende nuk ka një produkt konkret, mbetet për tu parë në vijim efekti i saj”, tha Zoto.   

Sipas të dhënave janë rreth 12.800  shqiptarë të identifikuar nga zyrtarët tatimorë si njerëz me pasuri të larta dhe për këtë, do t’i nënshtrohen një kontrolli të imët që në fund ka qëllim të dyfishtë, zbulimin e origjinës së pasurive dhe taksimin e tyre./vizionplus.tv