Ballina Kulturë Producenti Tom Therçaj sjell dokumentarin “Misionari i paqes”

Producenti Tom Therçaj sjell dokumentarin “Misionari i paqes”

30
0

Pas një përvoje të gjatë krijuese, me dokumentarë me temë historike, trashëgiminë materiale e kulturore, artin dhe kulturën, gazetari dhe producenti Tom Therçaj promovoi në Tiranë një dokumentar kushtuar veprimtarit të shquar Avdi Rexha. Njeriu që la gjurmë të pashlyeshme me kontributin e tij të spikatur për shërimin e plagës së dhimbshme të gjakmarrjes, është përjetësuar në art.

Në një veprimtari jubilare, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, u përkujtua misionari i pajtimit Avdi Rexha, si një veprimtar i shquar i Komitetit Mbarëkombëtar të Pajtimit ai luajti një rol të rëndësishëm për të mbjellë paqe, harmoni dhe shpresë, sidomos në vitet e trazuara të tranzicionit shqiptar.

Ky bir i Malësisë së Gjakovës trokiti derë më derë e fshat më fshat, jo vetëm në Malësinë e Gjakovës, por edhe në Kosovë, Mirditë, Dukagjin e Malësinë e Madhe, duke u gjendur pranë familjeve në hasmëri për të frenuar një tragjedi kombëtare siç është gjakmarrja.

Kryetari i Komitetit Mbarëkombëtar të Pajtimit, Gjin Marku, në fjalën e rastit e vlerësoi misionarin Avdi Rexha si një filozof popullor që i kishte peshë fjala dhe me urtinë e tij, mbështetur në traditën e odës së burrave, bëri të mundur të pajtoheshin qindra familje në hasmëri.

Qindra të pranishëm, pjesëtarë dhe të afërm të familjes Rexha, bashkëpunëtorë të misionarit të njohur, nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, morën pjesë në shfaqjen premierë të dokumentarit ‘Misionari i paqes’. Ky dokumentar solli kujtime, mbresa dhe histori interesante, nëpërmjet intervistave ekskluzive të bashkëpunëtorëve të Avdi Rexhës, nga Shqipëria dhe Kosova. Ai ka marrë vlerësime të shumta e tituj siç është edhe Qytetar Nderi i Tropojës, pas vdekjes.

Avdi Rexha i Bujanit të Tropojës u bë i njohur në Shqipëri dhe Kosovë me misionin e pajtimit, që nuk reshti, i frymëzuar edhe nga intelektuali i shquar i Dardanisë, Anton Çeta. Filozofia e tij ishte ‘trim asht ai që shtrin dorën e pajtimit, dhe jo gishtin e krimit’.

Plaku i urtë i malësisë së Gjakovës, Avdi Rexha mbetet një burim frymëzimi për brezat, për t’a ndërtuar jetën në harmoni dhe paqe, larg mërisë, urrejtjes dhe konflikteve.

Veprimtaria jubilare në nderim të Avdi Rexhës, u kthye në një festë të bukur. Mbresa të veçanta solli e bija e misionarit, poetja Bujana Malaj, me poezinë kushtuar të atit, që e interpretoi së bashku me artistin Kliti Roshi. Në vijim interpretuan këngëtarët e njohur Arben Gjeloshi dhe Lekë Pecnikaj, si dhe grupi i vajzave që krijuan atmosferë të bukur me Vallen e Tropojës.