Një 22-vjeçar nga qyteti i Durrësit ka rënë në prangat e policisë pasi shiste kokainë të ndarë në doza.
Operacioni për kapjen e të riut, Leonard Limani, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Gjatë kontrollit në makinën e 22-vjeçarit blutë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kokainë.
“Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, si rezultat i hetimeve të bazuara në informacionet policore, shërbimet e DVP Durrës kanë finalizuar një tjetër operacion policor, të koduar “Porcione”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
L. L., 22 vjeç, banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në një vend të përshtatur për të fshehur lëndën narkotike, gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, e ndarë në dhjetëra porcione, gati për shitje”, informoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.