Një situatë e pazakontë dhe e sikletshme ndodhi në tapetin e kuq të “British Soap Awards 2025”, kur dy aktore të njohura britanike, Tina O’Brien (e njohur nga seriali Coronation Street) dhe Jorgie Porter (ylli i Hollyoaks), u shfaqën me të njëjtin fustan.
Të dyja ishin veshur me një fustan elegant ngjyrë të artë me shkëlqim dhe prerje të hapur në pjesën e përparme – një model që tërhoqi menjëherë vëmendjen e fotografëve, por jo për arsyet që ato mund të kishin shpresuar.
Reagimet në rrjete sociale nuk vonuan. Përdoruesit shprehën habinë për “koincidencën” e pazakontë, ndërsa disa e cilësuan si një nga “momente më të sikletshme të natës”. Megjithatë, të dyja aktoret e përballuan situatën me buzëqeshje dhe sportivitet, duke treguar profesionalizëm dhe vetëbesim.
Nuk është hera e parë që personazhe të njohura bien “viktimë” e të njëjtës zgjedhje veshjeje në ngjarje të mëdha. Megjithatë, ky episod i “modës së përplasur” e bëri skenën e tapetit të kuq edhe më interesante për publikun dhe mediat.
British Soap Awards 2025, si zakonisht, mblodhi emrat më të mëdhenj të televizionit britanik, por këtë vit, përveç çmimeve, do të mbahet mend edhe për “duelin e fustanit të artë”.