Ballina Ekonomia Vlora “magnet” për investitorët e huaj, ekspertët: Çmimet do të kenë tendencë...

Vlora “magnet” për investitorët e huaj, ekspertët: Çmimet do të kenë tendencë rritëse

0
34

Në një artikull të fundit, revista prestigjioze amerikane Forbes e renditi Vlorën në krye të 5 destinacioneve më tërheqëse në Europë për blerjen e pasurive të paluajtshme. Ekspertët thonë se ka disa arsye që e kanë vënë qytetin bregdetar në qendër të vëmendjes.

“Padiskutim Vlora në 5 vitet e fundit ka pasur një zhvillim goxha të madh për shkak sepse është një qytet i jetueshëm 365 ditët e vitit. Projektet zhvilluese që Vlora ka, do ta bëjnë Vlorën një qendër të turizmit shqiptar, por mbase dhe rajonal”, u shpreh Orgest Beti, konsulent i tregut imobiliar.

Sipas të dhënave të fundit, çmimet e apartamenteve në Vlorë variojnë nga 1,500 deri në 3500 euro për metër katror, me një rritje të ndjeshme në vitet e fundit. Ekspertët e tregut shpjegojnë se kjo rritje është e lidhur ngushtë me zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e turizmit në zonë.

“Ka klimën ka portin, së shpejti do të jetë edhe aeroporti i Vlorës funksional. Po ndërtohen resorte dhe hotele të standarteve shumë të lartë”, tha Beti.

Ekspertët parashikojnë se çmimet e pasurive të paluajtshme në Vlorë do të vazhdojnë të rriten për shkak të kërkesës së lartë.

“Vlora është diçka më lirë se sa Palasë, Dhërmiu, Ksamili, Saranda. Çmimet minimale në Vlorë fillojnë nga 1500 euro metri katror, e mund të variojnë deri në 2500 euro”, shtoi Beti.

Bregdeti i jugut po shfaqet si një mundësi e vlefshme për investime në pasuri të paluajtshme, duke ofruar një kombinim të zhvillimit të infrastrukturës, bukurisë natyrore dhe mundësive për kthim të mirë financiar.