Nga Shpendi Topollaj
E kam shfaqur pa drojë në shtypin e ditës dhe portale, qëndrimin tim si njeri dhe shkrimtar për gjithçka po ndodh si në Ukrainë, ashtu edhe në Palestinë, por sot nuk mund të mos reagoja teksa në TV lexoja lajmin e trishtuar se nga bombardimet, krahas shumë të vdekurve, mjekes palestineze Alaa al-Najjar, në rripin jugor të Gazës, nga dhjetë fëmijë që kishte, ju vranë nëntë. Kjo është mizori e cila të indinjon e të revolton, aq sa të vjen rëndë që jeton në kohë barbarësh.
Me atë që po ngjet me popullin e Palestinës, marria e kryeministrit Benjamin Netanyahu mesa duket nuk paska fund. Dhe jo vetëm marria, por edhe pashpirtësia e tij. Pashpirtësia e tij, por edhe faji i popullit izraelit që e ndjek verbërisht atë që çdo ditë e më shumë, opinioni i shëndoshë ndërkombëtar, po e quan kriminel. Ca më shumë, ky popull është fajtor, po të kujtojmë se e ka pësuar vetë nga urrejtja deri në gjenocid, çka i ka kushtuar jetët e miliona njerëzve. Nga ana tjetër, populli hebre është dyfish fajtor, pasi njihet si një popull mjaft i zgjuar dhe i kulturuar, kështu që është e pafalshme mbështetja që ai i jep qeverisë së tij, kur ajo me forcën e pamëshirëshme të armëve, po vret e masakron pa dallim, këdo që i del përpara, duke na vërtetuar se Ferri nuk është shpikje e fantazisë së mendjes gjeniale të Dante Alighierit. Ai popull, të cilin ne e kemi dashur dhe ndihmuar, pa marrë parasysh rrezikun që na kanosej, sot është po aq fajtor (natyrisht me disa përjashtime që duhen përshëndetur), sa edhe populli gjerman dikur, që duke qenë gjithashtu i zgjuar dhe i kulturuar, u bë njësh me çmendurinë e Adolf Hitlerit, duke e kthyer Evropën në gërmadhë. Moskundërshtimi i të keqes, njësoj si bërja palë me të, të bën bashkëfajtor. Por bashkëfajtor në këtë që po ndodh prej një kohe të gjatë në Gaza, janë edhe krerët e shteteve me peshë që e dënojnë agresionin barbar izraelit, vetëm me disa deklarata. Po ashtu, nuk mund t`i shpëtojnë përgjegjësisë historike as organizmat ndërkombëtare, deri Organizata e Kombeve të Bashkuara, të cilat po tregojnë jo vetëm pandjeshmërinë dhe paaftësinë absolute, por edhe se janë shndërruar në institucione formale, ku vegjetojnë ca matufë frikacakë që nuk duan t`ia dinë se çfarë ngjet në marrëdhëniet mes shteteve me kontradikta të reja apo të trashëguara. Po ngjet ajo që thosh Shakespeare: “Fjalë, fjalë, asgjë veç fjalëve”. Autoriteti i tyre ka rënë në kuota të turpshme dhe mesa duket ka ardhur koha për riorganizime në shkallë botërore. I çuditshëm është edhe pasiviteti i vendeve aty rrotull që nuk ndihen fare. Mesa duket, ata ende vijojnë sherret për dallimet e kota fetare. Kështu si po zhvillohen ngjarjet, askush nuk duhet të çuditet, sikur ndonjë Hitler i ri të nisë aventurën më të madhe të të gjitha kohrave: Luftën e Tretë Botërore, për të cilën as vetë Ajnshtaini nuk e dinte se si do të zhvillohej, por që ishte i sigurtë se e katërta do të bëhej me shkopinj. Dhe është për të ardhur keq, kur sheh se edhe SH.B.A. vendi, te drejtësia dhe demokracia e të cilit popujt, përfshi edhe ne shqiptarët, shpresojmë në respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore, nuk është aspak i qartë në qëndrimin që mban në këtë konflikt, ku si për ta ngatërruar edhe më keq, kërkon ta ketë vetë kontrollin e atij vendi. Pa harruar për asnjë çast edhe ekuivoket e atij shteti të fuqishëm, për atë që po bën ushtria putiniane me popullin dhe shtetin sovran të Ukrainës. Përkundrazi, po krijohet përshtypja se politika amerikane po fërkon duart ose më keq akoma, po i nxit të vazhdojnë përleshjen. Mediat, përfshi dhe ato tonat, të blera apo në shërbim të qarqeve të caktuara politike, nuk po e luajnë sa dhe si duhet rolin e tyre të ndershëm dhe në radhë të parë të guximshëm, për të pasqyruar të vërtetën apo për ta dënuar atë. Nuk e ka humbur aktualitetin për ta deviza e poetit latin Decimus Juvenalis: “Vivam impendere vero”, pra “T`ia kushtojmë jetën, shërbimit të së vërtetës”. Në këtë mjegullnajë surreale, i paqartë mbetet edhe qëndrimi ynë zyrtar. Asnjë deklaratë e bërë, edhe pse atje, shifra e të vrarëve dhe të plagosurve është marramendëse, edhe pse gjithçka e ndërtuar me sakrifica të panumërta ndër vite e shekuj është rrafshuar. Edhe njerëzve të thjeshtë e sidomos intelektualëve, nuk u dridhet qerpiku, kur shohin mjerimin e duarve që dridhen për një tas supë, kur fëmija katër vjeç vdes nga uria, kur ushtria izraelite nuk lejon prej ditësh asnjë ndihmë humanitare për popullin e etur edhe për një pikë ujë, apo vret pa të keq edhe mjekët e gazetarët. Nuk e di a do të dalë dikush që të paktën t`i kujtojë zotit Netanyahu, atë thënien e mareshallit prusian Helmuth Karl Bernard von Moltke se “Çfarë fituam me shpatë për gjysmë viti, duhet ta mbrojmë me shpatë për gjysmë shekulli”. E ç`e mirë i vjen popullit të Izraelit nga kjo? Ndaj më thoni tani; kush del i fituar nga kjo luftë?