Ballina Europë Një burrë dënohet dhe gjobitet për djegien e një kopjeje të Kuranit...

Një burrë dënohet dhe gjobitet për djegien e një kopjeje të Kuranit në Londër

41
0

Një burrë që dogji një kopje të Kuranit dhe bërtiti “Islami është fe e terrorizmit” jashtë konsullatës turke në Londër u dënua të hënën për një shkelje të rendit publik me motive fetare dhe u gjobit.

Grupet e aktivistëve për lirinë e fjalës ngritën shqetësime se dënimi i tij ishte kundër lirisë së shprehjes dhe u zotuan se do të apelojnë.

Hamit Coskun, 50 vjeç, bërtiti, ndërsa mbante lart një Kuran të djegur jashtë konsullatës turke më 13 shkurt. Ai argumentoi në gjykatë se kishte protestuar në mënyrë paqësore.

Gjykatësi i distriktit John McGarva tha se sjellja e tij ishte “provokuese dhe tallëse” dhe ka të ngjarë të ketë shkaktuar ngacmim, alarm ose shqetësim, dhe se ishte “motivuar të paktën pjesërisht nga urrejtja ndaj myslimanëve”.

«Djegia e një libri fetar, megjithëse fyese për disa, nuk është domosdoshmërisht çrregullim», tha gjykatësi. «Ajo që e bëri sjelljen e tij të çrregullt ishte koha dhe vendi i sjelljes dhe fakti që e gjithë kjo shoqërohej me gjuhë abuzive».

Prokurorët thanë se Coskun, me origjinë nga Turqia, kishte postuar në mediat sociale se po protestonte kundër qeverisë së Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili sipas Coskun “e ka shndërruar Turqinë në një bazë për islamistët radikalë”.

Ai u gjobit me 240 paund (325 dollarë).

Shoqata Kombëtare Laike dhe Unioni i Fjalës së Lirë, të cilat paguan shpenzimet ligjore të Coskun, thanë se dënimi rrezikonte lirinë e shprehjes dhe se ata kanë ndërmend të apelojnë “dhe të vazhdojnë ta apelojnë atë derisa të rrëzohet”.

Ata thanë se do ta çonin çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut nëse është e nevojshme.

Në një deklaratë të lëshuar përmes Unionit të Fjalës së Lirë, Coskun tha se “nuk mund të jetë e drejtë të ndiqet penalisht dikush për blasfemi kundër Islamit”.

“Ky vendim është një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe do t’i dekurajojë të tjerët nga ushtrimi i të drejtave të tyre demokratike për protesta paqësore dhe liri shprehjeje”, tha ai. “Si aktivist, unë do të vazhdoj të bëj fushatë kundër kërcënimit të Islamit.”

Robert Jenrick, nga Partia Konservatore e opozitës, tha në platformën e mediave sociale X se vendimi “ringjall një ligj për blasfemi” që Parlamenti e shfuqizoi në vitin 2008 pas një fushate nga sekularistët.

Dave Pares, zëdhënës i kryeministrit Keir Starmer , u tha gazetarëve: “Ne nuk kemi ligje për blasfeminë në Angli dhe nuk ka plane për të futur ndonjë.”