Lidhur me situatën shëndetësore të 31-vjeçares Vera Ruani me shtetësi angleze, e cila shpëtoi nga mbytja pas një aksidenti në ujërat detare të Durrësit teksa lëviznin me motor uji, mësohet se ajo tashmë është jashtë rrezikut për jetën.
Ajo qysh të dielën pasdite u transferua nga urgjenca në repartin e patologjisë në spitalin e Durrësit.
Bëhet e ditur se ajo i është nënshtruar të gjitha analizave mjekësore dhe mjekimeve sipas protokollit, por ajo i është nënshtruar edhe rezonancës magnetike si dhe ka kryer grafinë e mushkërive të cilat kanë rezultuar pa probleme.
Ndërkohë nga grupi hetimor bëhet e ditur se vajza ka sqaruar edhe dinamikën e ngjarjes. Ajo ka treguar se kishin vendosur të merrnin një motor uji me qira së bashku me shokun e saj Silvester Dheug. Ajo ka rrëfyer se ata ishin pajisur me jelekët e shpëtimit por jo me skafandra.
Sapo kishin kaluar korridorin e startit të lëvizjes, ata janë kthyer djathtas dhe rreth 150 m larg bregut, përballë pallatit monstër në Shkëmbin e Kavajës, drejtuesi Dheug, teksa lëvizte me shpejtësi të madhe, ka tentuar një manovër rrethore e cila ka rezultuar fatale.
Mjeti është përmbysur dhe ata kanë përfunduar në ujë. Vajza ka treguar se ajo përfundoi e shkëputur nga mjeti, kurse djali nën mjet e duket është asfiksuar.