Ballina Politika Alesia Balliu shpall kandidaturën për kryetare të PD-së

Alesia Balliu shpall kandidaturën për kryetare të PD-së

55
0

Alesia Balliu, e cila u përfshi në një debat të fortë me zyrtarë të PD-së përpara zgjedhjeve të 11 majit, pasi nuk u përfshi në listat e kandidatëve të Elbasanit, edhe pse ishte një ndër më të votuarat në këtë qark, nuk ka nguruar të shpallë kandidaturën e saj për kryetare të PD-së.

Në emisionin ‘Dekalog’ të gazetarit Roland Qafoku, Balliu tha se Sali Berisha duhet të dalë në pension, pasi ai është e shkuara, ndërsa shtoi se PD ka nevojë për të rinj me vizion që do e çojnë përpara këtë parti.

“Zoti Berisha është e shkuara, duhet ta pranojë këtë fakt. Duhet të dalë në pension. Partia Demokratike ka nevojë për të rinj me vizion që e çojnë përpara”, tha Balliu.

E pyetur nëse po jep një lajm për kandidaturën e saj, ajo u shpreh “pa diskutim që po. Alesia Balliu kandidate në garën për kryetare të Partisë Demokratike. Kam vizionin e duhur. Nuk kam frikë nga sfidat.”

Në vijim ai akuzoi emrat e përzgjedhur nga Berisha në 11 maj dhe që morën mandatin e deputetit si individë që nuk kanë mbështetjen në popull, pavarësisht se mund të kenë një mandat.

“Këto struktura, kryesisht të PDSH-së dhe grupit parlamentar që i ka vendosur Sali Berisha, nuk i do më populli. i ka skaduar koha politike. Ata mund të kenë mandat, por nuk shërbejnë për asgjë,” – u shpreh Balliu.

Ajo akuzoi drejtpërdrejt Sali Berishën për prishjen dhe degradimin e Partisë Demokratike, duke thënë se ai e ka “shitur” partinë dhe se zgjedhjet ishin një garë e manipuluar, ku të vetmit fitues dolën Berisha dhe Rama.

“Berisha kishte interes të dilte i dyti. Rama fitoi, Berisha fitoi, dhe humbi Shqipëria. Ai ka dalë i fituar nga kjo histori. Kanë humbur demokratët, ka humbur populli që ka të drejtë të ketë një opozitë, të ketë një opsion për të zgjedhur. Këto të dy kanë fituar”, deklaroi Balliu.

Balliu kritikoi ashpër përbërjen e listës së kandidatëve të Partisë Demokratike, duke e quajtur atë “një listë humbëse dhe të pamerituar.” Sipas saj, lista nuk përfaqëson vlerat e demokratëve, por individë pa kontribut, të përfshirë përmes pazareve dhe lëvizjeve jo transparente.

“Unë do ta pranoja listën e mbyllur nëse aty do kishte individë me vlera. Por aty ka emra që kanë dalë si nga ‘Jeta është qejf’. Është një listë e humbësve,” – tha ajo, duke kujtuar takimin me Berishën 20 minuta para mbledhjes së Kryesisë, ku kishte paralajmëruar se lista nuk do të sillte fitore.

“I thashë: ‘Do i humbësh këto zgjedhje’. Ai më tha: ‘Mos u shqetëso’. Por unë e dija që ishte një listë humbëse. Kjo listë nuk merr asnjë mandat nga lista e hapur. Është e papërfaqësuar”, u shpreh Balliu.