Anuela Ristani drejtuesja aktuale e Bashkisë së Tiranës sipas Faktor.al ka vendosur të heqë mobiljet e Erion Veliajt nga zyrat dhe bën tender për mobilimin e selisë së bashkisë Tiranë.
Poltron rrotullues, raft librash, tavolinë ovale si e Shtëpisë së Bardhë, kasafortë sekrete, komplete kolltuqesh, kredencë, garderobë, pasqyra për tualet dhe një listë e gjatë mobiliesh që do t’ia ndryshojnë pamjen nga brenda zyrave.
Sipas burimeve e gjitha kjo u kushton taksapaguesve të kryeqytetit 465 milionë lekë pa llogaritur shtesën e TVSH-së në vlerën e kontratës. Jo vetëm kaq, por nga xhepat tona paguhet edhe fatura e korrupsionit gjatë procedurës së tenderit.
Tashmë nga një denoncim që është bërë në KPP kemi mësuar se kriteret janë qepur për një kompani të caktuar.
Komisioni i tenderit i autorizuar nga kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, e ka ndarë prokurimin në dy lote: Loti 1: ‘Pajisje për zyra’ dhe
Loti 2: ‘Blerje pajisje dhe orendi për nevoja të institucioneve të Bashkisë Tiranë’. Vlera e pritshme e kontratës është 46,482,958 lekë pa TVSH, ose 473,784.09 Euro pa TVSH, e ndarë në lote:
Loti 1: ‘Pajisje për zyra’, me fond limit 15,408,601 lekë pa tvsh; Loti 2 – “Blerje pajisje dhe orendi për nevoja të institucioneve të Bashkisë Tiranë” me fond 31,074,357 lekë pa tvsh. I çuditshëm është afati i sjelljes së mobiljeve që, sipas njoftimit të bashkisë, është 1 vit.