Barcelona përfundoi një sezon tepër pozitiv duke arritur të fitojë gjithçka mund të fitohej në Spanjë, pas suksesit në La Liga, Kupën e Mbretit si dhe Superkupën e Spanjës. Ndoshta zhgënjimi i vetëm për blaugranat ishte mos arritja e finales së Champions League, me skuadrën e Flick që u mposht në ato dy sfida spektakolare në gjysmëfinale të kompetiiconit ndaj Inter.
Por duket se jo gjithshka shkon pozitivisht për katalanasit pasi klubi rrezikon që shumë shpejt një penalizim nga UEFA, për shkak të parregullsive në Fair Play Financiar.
Në disfavor të klubit katalanas është edhe përsëritja e shkeljeve, pasi klubi i Joan Laportas kishte thyer më parë rregullat e përcaktuara nga Club Financial Control Board (CFCB) i UEFA-s, duke raportuar gabimisht fitimet dhe duke marrë një gjobë prej 500,000 eurosh nga entiteti europian i futbollit. Barcelona kishte bërë apel në tetor në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, por e humbi atë, me të njëjtin organ gjyqësor që e cilësoi dënimin si “relativisht të lehtë”.
Duke lexuar arsyet e vendimit, del një skenar që po i shqetëson shumë në Katalonjë: “CFCB… thekson se një shkelje e ngjashme nga klubi gjatë procesit të monitorimit për sezonin 2023/24 do të konsiderohej rast recidiv dhe do të trajtohej me masa disiplinore më të rënda ndaj FC Barcelonës”.
Në këtë pikë, si raportohet nga The Times, mund të ketë një dënim që përfshin penalizim në fazën e Ligës së Champions në sezonin e ardhshëm, një situatë që mund të ndikojë në rrugëtimin europian të skuadrës spanjolle.
Barcelona nuk do të ishte klubi i vetëm që ka tejkaluar kufijtë e UEFA-s, të cilët parashikojnë një humbje maksimale prej 60 milionë eurosh brenda tre viteve. Gjithashtu janë të përfshirë Aston Villa dhe Chelsea, por këto të fundit janë në hetim për here të parë, ndaj mund të përballen vetëm me një gjobë dhe disa kufizime në merkato.