Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilloi sot një takim me Të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn. Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe rendit publik.
Në një reagim pas takimit, ministri Hoxha u shpreh se bashkëpunimi me SHBA-të është një shtyllë e rëndësishme e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në përpjekjet për forcimin e rendit dhe luftën kundër kriminalitetit.
Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme amerikane në këtë drejtim, duke theksuar rëndësinë e partneritetit për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për qytetarët shqiptarë.
“Pata kënaqësinë të zhvilloj një takim të frytshëm me Të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn. Diskutuam mbi bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm në fushën e sigurisë, si shtyllë e rëndësishme e marrëdhënieve tona të shkëlqyera. Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve në forcimin e rendit, sigurisë dhe luftën kundër kriminalitetit në tërësi, për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë, tha Hoxha.