Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi se të mërkurën janë arrestuar 17 persona, të dyshuar për ndotje, degradim dhe shkatërrim të mjedisit përreth lumit Drini i Bardhë. Sipas autoriteteve, të pandehurit dyshohet se kanë shkelur Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme burimet natyrore përmes eksploatimit dhe përpunimit të rërës dhe zhavorrit.
Në operacionin e zhvilluar në 14 lokacione në rajonin e Prizrenit, Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë sekuestruar 38 pajisje të përdorura për kryerjen e veprave penale, përfshirë nëntë kamionë, 14 eskavatorë dhe 15 makineri seperimi. Vlera e përgjithshme e këtyre mjeteve llogaritet të jetë rreth 2 milionë euro.
Të arrestuarit do të mbahen në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet për veprat penale të ndotjes së mjedisit dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm janë në vazhdim.
Kosova përballet me mungesë të resurseve ujore dhe, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), burimet ekzistuese janë keqshfrytëzuar dhe ndotur rëndë. Në një raport të publikuar më 2022, AMMK vlerësonte se pjesa më e madhe e lumenjve në vend janë dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme, ku më i prekur rezulton të jetë pikërisht Drini i Bardhë, lumi më i gjatë në Kosovë.