Kryeministri i Moldavisë thotë se Rusia synon të marrë vendin e tij nën kontroll dhe të përdorë rajonin separatist të Transnistrisë kundër Ukrainës.
“Duhet ta kuptojmë se Rusia ka si qëllim marrjen e kontrollit të Moldavisë në vjeshtë dhe përdorimin e Transnistrisë kundër Ukrainës dhe Rumanisë, e cila është anëtare e NATO-s”, tha kryeministri moldav Dorin Recean në një konferencë për shtyp në fund të takimit të nëntë të Këshillit të Asociimit BE-Moldavi në Bruksel.
“Po dëshmojmë një përpjekje masive nga Rusia për të minuar demokracinë dhe për të dobësuar Republikën e Moldavisë”, deklaroi ai.
“Ata po përdorin mjete shumë të fuqishme si propaganda, dezinformimi, pagesat dhe transfertat për të blerë vota”, shtoi ai.
Ai i referohet strategjisë së Rusisë për të marrë nën kontroll këto vende, duke sponsorizuar aty aktorë pro rusë të cilët më pas vijnë në pushtet si një qeveri kukull që i shërben interesave të Kremlinit.