Ish-kapiteni dhe analisti i njohur i futbollit, Geri Nevil, ka identifikuar katër lojtarë që, sipas tij, duhet të largohen nga Mançester Junajtid gjatë merkatos së verës në mënyrë që klubi të ecë përpara nën drejtimin e trajnerit të ri, Ruben Amorim.
Pas një sezoni zhgënjyes që u mbyll me humbjen në finalen e Ligës së Europës ndaj Totenhamit, e cila i kushtoi klubit pjesëmarrjen në garat europiane dhe të ardhurat përkatëse, “Djajtë e Kuq” kanë filluar të ndërtojnë një skuadër të re.
Javën e kaluar, Junajtid zyrtarizoi blerjen e Mateus Kunjës nga Uolves për 62.5 milionë paund, ndërsa sulmuesi i Brentfordit, Bryan Mbeumo, ka shprehur publikisht dëshirën për t’iu bashkuar projektit në “Old Trafford”.
Por për shkak të situatës financiare dhe humbjes së të ardhurave që priteshin nga Liga e Kampioneve (rreth 100 milionë paund), Junajtid duhet të gjenerojë fonde përmes shitjeve. Nevil ka përmendur emrat e Markus Rashfordit, Antoni, Xhejdon Sanços dhe Alehandro Garnaços, si lojtarët që duhet të largohen për t’i dhënë klubit mundësi për të rifilluar me energji të reja.