Qeveria ka miratuar një projektligjtë propozuar nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili i hap rrugën rrëmbimit të pronave të ushtrisë nga investitorët strategjikë, edhe kur ato janë në Planin e Përhapjes. Drafti, e shndërron Planin e Përhapjes në një dokument, që mund të preket në çdo kohë, sa herë që një ministër propozon një investim.
“Plani i vendosjes dhe përhapjes i Forcave të Armatosura rishikohet periodikisht çdo 5 vjet dhe në çdo kohë, në rastet e investimeve me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit apo ndërtimeve, përmirësimeve të infrastrukturës publike, që prekin pjesërisht apo plotësisht një pronë brenda planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura, kur vlerësohet se ky ndryshimin nuk cenon operacionalitetin e Forcave të Armatosura. Institucioni përgjegjës për investimet e rëndësisë së veçantë kërkon rishikimin e planit të vendosjes dhe përhapjes, pasi vlerëson natyrën dhe rëndësinë e investimit,” thuhet në projektligj.
Plani i Përhapjes është dokumenti, që përmban të gjithë pronat strategjike të ushtrisë, të cilat janë kritike për kapacitetin e mbrojtjes së vendit dhe operacionalitetin e Forcave të Armatosura.
Por projektligji i miratuar nga qeveria këtë të mërkurë, praktikisht i nxjerr pronat e ushtrisë në “rrugë të madhe”, pasi i jep të drejtë çdo anëtari të kabinetit qeveritar të kërkojë nxjerrjen e pronave të ushtrisë nga Plani i Përhapjes me qëllim privatizimin e tyre me argumentin e investimeve të rëndësishme për ekonominë.
Fjala vjen nëse një biznesmen që merret me peshk i kërkon ministres së Bujqësisë një bazë ushtarake në bregdet për të zgjeruar biznesin e tij, përmes këtij ligji, qeveria nis procesin e privatizimit të pronës.
Tjetërsimi i pronave strategjike të ushtrisë tek privatët, nën argumentin e investimeve me rendësi për ekonominë, ka qenë një synim i hershëm i qeverisë. Në rastin e bazës detare të Sarandës, prona u tentua të privatizohej pa u nxjerr fare nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura, pasi në atë kohë Edi Rama pengohej nga Ilir Meta, i cili mbante firmën e fundit për heqjen e pronave nga Plani i Përhapjes.
Më vonë, afera e bazës së Sarandës përfundoi në SPAK e kallëzuar nga ish zv/komandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari. Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e pronës, që i ishte dhënë për zhvillim privatit, me argumentin se privatizimi i saj cënonte sigurinë kombëtare dhe kapacitetin mbrojtës të vendit. Por pavarësisht sekuestrimit, deri më tani për këtë çështje nuk ka asnjë të ndaluar./kapital