Policia e Tiranës ka zbuluar një ambient të përshtatur për call center në rrugën e Barrikadave dhe ka vënë në pranga dy persona. Olsi Vasku dhe Admir Behari, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, telefononin shtetas të huaj dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata të investonin në bursa fiktive.
Gjatë operacionin të policisë të koduar “Last call” janë sekuestruar 5 laptopë dhe 2 aparate celularë, që përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Last call”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit O. V., 35 vjeç, dhe A. B., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas administronin një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në Rrugën e Barrikadave, të cilin e kishin përshtatur si call center. Ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, telefononin shtetas të huaj dhe, përmes mashtrimit, i bindnin ata të investonin në bursa fiktive”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.