Ballina Politika ‘Mospërputhje midis votave të lexuara në ekran dhe të dhënave të pasqyruara...

‘Mospërputhje midis votave të lexuara në ekran dhe të dhënave të pasqyruara në procesverbale’, kandidati i Berishës, Roshi, kërkon rinumërim

55
0

Kandidati i Sali Berishës për Qarkun Tiranë dhe kushëriri i ish kryebashkiakut Elvis Roshi, Elton Roshi, i ka kërkuar KQZ dhe KAS rrëzimin e miratimit të tabelave përmbledhëse të Qarkut Tiranë, si dhe hapjen dhe rinumërimin e kutive të votimit.

Roshi pretendon se në disa qendra votimi të KZAZ-ve në Tiranë, vëzhguesit kanë konstatuar mospërputhje midis votave të lexuara në ekran për llogari të tij dhe të dhënave të pasqyruara në procesverbalet përfundimtare të tabelimit.

“Të nderuar anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,

Të nderuar anëtarë të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve,

Partia Agrare Ambientaliste (PAA), subjekt zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhjet e 11 majit 2025, nëpërmjet kandidatit të saj z. Elton Roshi në Qarkun Tiranë, kundërshton miratimin e tabelave përmbledhëse të rezultateve për këtë qark dhe kërkon hapjen dhe rinumërimin e kutive të votimit në të gjitha KZAZ-të e Qarkut Tiranë, përjashtuar Bashkitë Vorë, Rrogozhinë dhe Kavajë, ku nuk janë evidentuar parregullsi që kërkojnë verifikim.

Në disa qendra votimi të KZAZ-ve në Tiranë, vëzhguesit tanë kanë konstatuar mospërputhje midis votave të lexuara në ekran për kandidatin Elton Roshi dhe të dhënave të pasqyruara në procesverbalet përfundimtare të tabelimit.

Këto shqetësime janë ngritur menjëherë gjatë procesit të numërimit, por komisionet lokale kanë refuzuar ndërhyrjen, duke na orientuar për ankesë pranë KQZ-së.

Në përputhje me nenin 145 dhe 146 të Kodit Zgjedhor, subjekti ynë ka të drejtë të kërkojë hapje dhe rinumërim të kutive ku ekzistojnë dyshime të arsyeshme për mospërputhje. Kërkojmë gjithashtu afat të arsyeshëm për të përfunduar shqyrtimin e pamjeve filmike, përpara se të nisë shqyrtimi i ankesës në seancë.

Rezervojmë të drejtën për të shtuar argumente dhe prova shtesë deri në ditën e shqyrtimit të kërkesës”,- thuhet në kërkesën e Partisë Agrare Ambientaliste.