Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëherazi Kryetare e Komisionit të Kulturës, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër lidhur me ndërhyrjet që po kryhen në burgun famëkeq të Spaçit. Ajo ka ngritur shqetësimin se këto rikonstruksione po fshijnë gjurmët autentike të vendit dhe po cenojnë rëndë dëshminë historike të kësaj hapësire simbolike të diktaturës komuniste.
Zhupa njoftoi se ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punimeve si dhe një seancë dëgjimore urgjente në Komisionin e Kulturës. Në këtë seancë pritet të thirren përfaqësues nga:
- Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI),
- Instituti i Monumenteve të Kulturës (IKTK),
- Shoqatat e ish-të përndjekurve politikë,
- Organizatat dhe fondacionet që trajtojnë trashëgiminë e komunizmit dhe të drejtave të njeriut.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
“Kam ndjekur me shqetësim veprimtarinë ndërtimore në burgun e Spaçit, me punime që fshijnë gjurmët e kohës, duke rrezikuar rëndë vlerat autentike të objektit. Këto ndërhyrje bien ndesh me dëshmitë e gjalla të ish-të burgosurve politikë në këtë burg dhe të dhënat arkivore të kohës.
Si kryetare e komision përgjegjës për trashëgiminë kulturore, për edukimin, duke parë edhe mos reagimin e institucioneve, kam vendosur të kërkoj në mënyrë të menjëhershme pezullimin e punimeve dhe seancë dëgjimore në komision me ministrin Blendi Gonxhe, drejtoreshën e IKTK-së, përfaqësues të shoqatave të ish të përndjekurve, të organizatave dhe fondacioneve me fokus në këtë çështje.
Askush nuk mund të retushojë, zbukurojë apo tjetërsojë historinë!
Historia mësohet dhe transmetohet që të mos përsëritet më, nuk zbukurohet për propagandë.”
Zhupa paralajmëroi se ndërhyrjet e pamatura në objekte me vlerë të lartë historike si Spaçi, përveçse përbëjnë rrezik për trashëgiminë kombëtare, dëmtojnë edhe kujtesën kolektive të dhimbjes dhe qëndresës ndaj diktaturës.