Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të zhvillojë sot takime konsultative me partitë politike parlamentare për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale. Konsultimet do të mbahen në ndërtesën e Presidencës duke filluar nga ora 14:00.
Zëdhënësi i Presidencës, Bekim Kupina, konfirmoi se presidentja po vepron në përputhje me kompetencat kushtetuese, duke theksuar se menjëherë pas përfundimit të takimeve, do të shpallet data zyrtare e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Pjesëmarrjen në këto konsultime e kanë konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Zëdhënësit e këtyre subjekteve, Arlind Manuxhka (LVV) dhe Besian Mustafa (LDK), bënë të ditur se janë ftuar dhe do të marrin pjesë në takim, i cili është caktuar për sot në orën 14:00. Nga AAK-ja, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe vetë kryetari Ramush Haradinaj.
Ndërkohë, partitë politike kanë filluar tashmë përgatitjet për garën lokale, duke shpallur disa nga kandidatët e tyre në komuna të ndryshme të vendit.