Ballina Politika ‘Synoj hapjen e kutive në Durrës’, Kalaja: Kam bërë 4 kërkesa për...

‘Synoj hapjen e kutive në Durrës’, Kalaja: Kam bërë 4 kërkesa për rinumërim, do ta vazhdoj këtë betejë

34
0

Në një intervistë televizive, kandidati për deputet Aulon Kalaja u shpreh se është i vendosur për të çuar përpara një betejë ligjore dhe institucionale që synon hapjen e kutive të votimit në Durrës, duke kërkuar transparencë të plotë mbi procesin zgjedhor.

Gjatë intervistës, Kalaja theksoi se nuk bëhet fjalë për emra apo për interes personal, por për vendosjen e një standardi të ri në proceset zgjedhore në Shqipëri. Ai deklaroi se i është drejtuar Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) në katër mënyra të ndryshme: si kandidat i Koalicionit “Shqipëria Madhështore”, si përfaqësues i Partisë së Legalitetit, si anëtar i Partisë Demokratike, dhe nëpërmjet mbështetjes nga Partia Balli Kombëtar Demokrat. Deri më tani, është njohur si palë legjitime vetëm përmes Partisë së Legalitetit.

“Kam kërkuar transparencë. KAS kërkon një format tjetër të provave, ndërsa unë kam punuar me një metodologji tjetër. Por mendoj se do të shkojmë drejt hapjes së kutive në Durrës. Nuk ka rëndësi kush është emri, por që të vendoset një standard i ri për zgjedhjet,” tha Kalaja.

Ai kritikoi një nen të Kodit Zgjedhor, për të cilin tha se duhet të goditet ligjërisht, pasi, sipas tij, ai pengon legjitimitetin e kandidatëve. Kalaja i kërkoi KAS që, nëse nuk mund të votojë kundër normës aktuale, ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

“Kur kam kërkuar votën e qytetarëve, më kanë pyetur: ‘A do na e mbrosh votën?’ Dhe u kam thënë: po. Unë do ta çoj këtë betejë deri në fund. Nuk bëhet fjalë për votat e mia, por për të parë si janë shpërndarë ato në tërësi. Dua transparencë dhe drejtësi,” theksoi Kalaja.

Ai përmendi edhe rezultatin në Bashkinë e Krujës, ku tha se ishte kandidati më i votuar, por pavarësisht kësaj nuk është bërë deputet, gjë që sipas tij ngre pikëpyetje mbi mënyrën e përpilimit të Kodit Zgjedhor dhe ndarjen e mandateve.