Gjatë monitorimit të akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrës kanë ndaluar në lagjen nr. 13, Durrës, drejtuesin e një motomjeti. Në momentin e ndalimit, ai i ka ofruar para punonjësve të Policisë, për të shmangur ndëshkimin ligjor, pasi nuk ishte i pajisur me leje drejtimi.
Në vijim të veprimeve, drejtuesi i motomjetit, shtetasi K. G., 20 vjeç, banues në Durrës, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga shërbimet e Policisë.