Në Shëngjin ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në bregdet, pas konstatimit të shkeljeve nga disa operatorë privatë, kryesisht beach bare, të cilët kishin vendosur shezlongë dhe çadra jashtë kritereve të përcaktuara për stacionet zyrtare të plazhit.
Në terren kanë ndërhyrë strukturat e Policisë Bashkiake, inspektorët e mbrojtjes së territorit dhe shërbimet vendore, me mbështetjen e Policisë së Shtetit. Zona e parë ku është ndërhyrë ishte Rana e Hedhun, ku janë konstatuar vendosje të paligjshme të pajisjeve të plazhit.
Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, theksoi se ky është vetëm fillimi i monitorimit, i cili do të vijojë përgjatë gjithë vijës bregdetare deri në fund të sezonit. Ai paralajmëroi masa të rrepta për çdo rast përsëritjeje, përfshirë sekuestrimin e pajisjeve dhe ndëshkime administrative për bizneset që shkelin rregullat.
Aktualisht, janë miratuar vetëm 50 stacione plazhi në gjithë vijën bregdetare të Shëngjinit, të gjitha në pronësi të hoteleve, një numër që është trefish më i ulët se vjet, kur menaxhimi i plazheve ishte i shpërndarë në mënyrë më të gjerë te operatorët privatë.
Bashkia i bën thirrje bizneseve të bashkëpunojnë, duke respektuar rregulloren për shfrytëzimin e hapësirave publike, në funksion të një sezoni turistik të rregullt, të sigurt dhe të aksesueshëm për pushuesit.