Ballina Ekonomia 69 mijë aplikime në skemën e mbështetjes në Bujqësi, vlerësimi sipas afateve...

69 mijë aplikime në skemën e mbështetjes në Bujqësi, vlerësimi sipas afateve të parashikuara

49
0

Aplikimet në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025 u mbyllën më 30 maj, duke regjistruar 69 mijë aplikime, të përbëra nga rreth 71 mijë fermerë nga të gjitha qarqet e vendit, të cilët aplikuan për të përfituar financim nga fondet e vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural njoftoi të mërkurën përmes rrjetit social “Facebook” se: “procesi i vlerësimit administrativ vijon në përputhje me kriteret dhe rregullat e përcaktuara në skemë, sipas afateve të parashikuara”.

Pas aplikimit me vetëdeklarim në e-Albania, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural nis procesin e verifikimit dhe plotësimin e dosjeve për secilin aplikant.

Një pjesë e mirë e dokumentacionit gjenerohet direkt nga e-albania, ndërsa pjesa tjetër duhet të dorëzohet nga fermerët.

Ndër kriteret kryesore është toka në pronësi apo përdorim të fermerëve përmes një kontrate qiraje të noterizuar si dhe mospasja e detyrimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Nga ana tjetër, për mbjelljet e bëra paraprakisht apo për numrin e krerëve në blegtori dhe numrin e koshereve në bletari, do të kryhet verifikimi në terren. Pas përfundimit të të gjithë procedurës, do të nisë disbursimi i fondeve për fermerët.

Këtë vit, fermerët do të përfitojnë pagesa cash për naftën që përdorin për punime të mekanizuara në bujqësi.

Fondi është 3.2 miliardë lekë dhe do t’i jepet më shumë prioritet financimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, të cilat do mund të përfitojnë në masën 100%.