Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, në fjalën e tij në Kuvend ka deklaruar se 11 maji ishte një farsë elektorale dhe se pushteti i mazhorancës nuk ka legjitimitet për sa kohë që nuk bazohet në votë dhe vullnetin e qytetarëve.
“11 maji ishte një farsë elektorale. Pushteti i mazhorancës nuk ka asnjë legjitimitet për sa kohë nuk buron nga vota dhe vullneti i qytetarëve,” deklaroi Noka, duke akuzuar qeverinë për kapjen e institucioneve dhe përpjekje për të mbuluar mungesën e demokracisë me një fasadë formale.
Sipas tij, procesi zgjedhor nuk përfaqësoi një garë të vërtetë midis alternativave, por një përballje e pabarabartë ku opozita u vendos përballë gjithë aparatit shtetëror, të mbështetur nga grupe kriminale.
“Demokracia është gjymtuar me vullnetin tuaj dhe të ‘sulltanit’ tuaj. Ajo që ka mbetur është vetëm fasada, ndërsa themelet e pushtetit tuaj qëndrojnë mbi një votë të tjetërsuar,” tha Noka.
Ai akuzoi qeverinë se ka institucionalizuar “tregun e votës”, duke e krahasuar procesin zgjedhor me tregjet e gjësë së gjallë në qytetet e vendit.
“E kthyet 11 majin në treg votash. Në çdo qytet, aty ku ka pasur dikur treg kafshësh, ju ndërtuat tregje të votës, ku liria dhe zgjedhja u shitën dhe u blenë në mënyrën më të turpshme,” përfundoi ai.