Ballina Aktualitet Flamingot folezojnë në lagunën e Nartës, Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së...

Flamingot folezojnë në lagunën e Nartës, Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror: Kishte vezë në 281 foletë e regjistruara

43
0

Flamingot, zogjtë lozonjarë me qafën e hollë dhe me ngjyrë mjaft interesante, po folezojnë në lagunën e Nartës.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bën të ditur se “Shqipëria është një habitat i dashur dhe i sigurt për një shumëllojshmëri speciesh, të cilat jetojnë, folezojnë, apo ushqehen në territoret e zonave të mbrojtura dhe jo vetëm. Flamingo është një tjetër lloj i cili duket se tani më ka nisur të folezojë në Shqipëri, konkretisht në Lagunën e Nartës”.

“Në zonat e mbrojtura ujore jetojnë të paqtë, një numër shumë i lartë flamingosh, një specie e mrekullueshme, e cila jeton mesatarisht deri në 30 vite”, tha AKZM në një postim në rrjetet sociale.

Ndërsa Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri theksoi se “gjatë monitorimit të kolonisë së tyre u vu re që 281 foletë e regjistruara kishin vezë, të cilat pritet të çelin së shpejti”.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit.

Laguna e Nartës, renditet e dyta më e madhe nga rëndësia për shpendët e ujit. Në këtë lagunë janë rreth 20,000 shpendë dimërorë të rreth 40 llojeve, duke u kthyer në një habitat shumë të pasur, gjithashtu vendushqimi për pelikanin dhe ku takohen rregullisht flamingot.

Laguna e Nartës ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km 2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur./ ATA